“Lufta kundër krimit të organizuem dhe korrupcionit asht kusht për liberalizim”

visarymeriii

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka shkrue lidhun me liberalizimin e vizave, tue thanë se asht shumë e mundshme që edhe sikur të ratifikohet Demarkacioni në Kuvend, sërish mos me u heqë vizat, sepse dihet që askund nuk asht në nivel, luftimi i krimit të organizuem e korrupcionit të naltë.

Statusi i Visar Ymerit në Facebook:

Liberalizimi i vizave për Kosovën është i lidhur me dy kushte: 1) luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë; dhe, 2) ratifikimi i demarkacionit të kufirit me Malin e Zi që na i humbet 8.200 hektarë. Për të qenë edhe më keq se kaq, Kosova është kurthuar në një thes me Turqinë, Ukrainën e Gjeorgjinë. Ky është grupi politik i Kosovës për dallim prej atij futbollistik të kombëtares sonë në kampionatin evropian në Francë.

Mirëpo, qeveria dhe segmenët e saj e përmendin vazhdimisht vetëm çështjen e nevojës së ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi. Sepse, kushti i parë për heqjen e vizave e problematizon krimin e korrupsionin qeveritar e institucional, dhe, për shkak se qeveritarët me argatët e tyre duan që me çdo kusht e parreshtur ta sulmojnë opozitën dhe ta mbajnë ofensivën.

Është shumë e mundshme që edhe sikur të ratifikohet demarkacioni në Kuvend sërish të mos na i heqin vizat sepse dihet që askund nuk është në nivel luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit të lartë dhe ndodhemi në një grup tejet të vështirë me Turqinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë. Kjo paraqet një arsye shtesë pse kurrsesi nuk duhet pranuar e ratifikuar ky demarkacion.