Lunacek, me top futbolli para medias: Për Kosovën në FIFA

Me top në dorë, ku shihej harta e Kosovës, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunacek, bani daljen e parë publike sot në Prishtinë.

Tue urue për pranimin e Kosovvës në dy organizatat ma të mëdhaja të futbollit në Europë e botë, ajo përmendi detyrimet që duhet me përmbushë Kosova dhe Serbia në lidhje me marrëveshjet e arrituna.

Rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese kanë qartësue se çka duhet ba e çka jo. Në këtë kuptim, hartimi i Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet me u ba. Asht fakt se Qeveria dhe Kuvendi nuk e kanë pasë mbështetjen për këtë. Qeveria ka thanë po, sepse vetë Kryeministri ka nënshkrue, prandaj implementimi si çdo Marrëveshje duhet krye nga të dy palët, si ajo për Asocacionin prej Kosovës, e ajo për Telekomin dhe Energjinë prej Serbisë, – tha Lunacek.

Eurodeputetja shtoi se krijimi i Asocacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk duhet shikue në nivel kombëtar, sepse komunat janë për me ofrue shërbime për qytetarët. Lunacek përsëriti se themelimi i Asociacionit duhet ba simbas rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese, dhe se Asocacioni nuk ka mandat egzekutiv.

E derisa mbante në dorë topin me mbishkrimin “Kosova”, ajo tha se topi asht në duert e Qeverisë dhe Kuvendit, për me konkludue në dy gjanat finale që duhen patjetër, e që janë Demarkacioni me Malin e Zi dhe efikasiteti në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
E pyetun për kushtin ndaj Kosovës për liberalizim të vizave Lunacek theksoi, se Demarkacioni me Malin e Zi, duhet me u votue në Kuvend. Ajo e pohoi se vendet e tjera nuk kanë pasë kushte të tilla, por kështu ka vendosë Komisioni. Po të pyetesha unë, kishte me qenë ndryshe, shtoi ajo.

E sa i përket asaj se kur kanë me lëvizë kosovarët pa viza, Lunacek tha se për këtë vendos Komiteti për Liri Civile, tue aludue se kjo mundet me ndodhë në fund të verës, megjithëse ka probleme me vendet e BE’s që kanë pranue flukse të mdha të emigrantëve nga Kosova.

Ajo u bani thirrje qytetarëve mos me kërkue azil.

Ndoshta në fund të verës, por nuk jam e sigurtë, nuk mundem me thanë ndonji date, sepse ka probleme me disa shtete që kanë pasë fluks të emigrantëve nga Kosova, prandaj keni kujdes e mos kërkoni azil në vendet e BE’s, sepse kjo e damton procesin e liberalizimit të vizave, – tha ajo.

Lunacek përmendi edhe për MSA’n, tu përsëritë randësinë e saj si marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosoves dhe Bashkimit Europian.

Krejt në fund të konferencës, pa mund me iu nda gëzimit për pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA, ajo para kamerave shpalosi aftësitë e manovrimit me topin e futbollit.