Macron ka këtë kërkesë për Erdogan’in lidhun me gazetarin e arrestuem

Presidenti francez, Emmanuel Macron, i kërkoi dje homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, lirimin e menjihershëm të gazetarit francez, Loup Bureau, i burgosun në Turqi që prej 26 Korrikut dhe kthimin e tij në Francë, njofton presidenca franceze në nji deklaratë për shtyp.

“Kryetari i shtetit francez, i cili zhvilloi nji bisedë telefonike me presidentin tuk, i kërkoi atij, përveç përmirësimit të kushteve të burgut, kërkesë e plotësueme tashma, lirimin e shpejtë dhe kthimin e tij në Francë. Të dy presidentët ranë dakord që të vazhdonin kontaktet edhe në nivel ministror për gjetjen sa ma shpejt të nji zgjidhje pozitive”, saktëson deklarata.

Presidenti Macron i ka telefonue për herë të parë homologut turk në mes të Gushtit për m’i kërkue me ndërhy.

Gazetari, Loup Bureau, 27 vjeç, i cili bashkëpunon edhe me kanalet televizive TV5 Monde, Arte dhe faqen e internetit Slate, ndodhet në paraburgim, i dyshuem për përkatësi në nji organizate të armatosun terroriste.

Ai asht arrestue më 26 Korrik në kufinin mes Irakut dhe Turqisë, mbasi i janë gjetë foto ku ai ka dalë me luftarë sirianë kurdë të lëvizjes YPG, e konsiderueme nga Ankara si nji organizatë terroriste.