Malazezët e Kosovës bajnë thirrje që me u ratifikue demarkacioni

Republika e Kosovës ka përmbyllë në Gusht të vitit të kaluem procesin e Demarkacionit me Malin e Zi, mas nënshkrimit në Vienë të Marrëveshjes për Kufinin Shtetnor. Megjithëse, subjektet opozitare, me theks të veçantë partia e Ramush Haradinajt (AAK’ja), janë tue kundërshtue këtë marrëveshje, ndryshe mendojnë partitë e koalicionit LDK dhe PDK.

Mirëpo, për herë të parë, ka ardhë reagimi edhe nga përfaqësuesit e Malit të Zi në Kosovë. Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Slobodan Vujicic, në nji prononcim për Indeksonline ka thanë se komuniteti i tyne mbështetë fuqishëm marrëveshjen për demarkacionin të nënshkruem ndërmjet dy shteteve.

Simbas tij, Kuvendi i Kosovës duhet sa ma shpejt me ratifikue dhe për këtë çashtje të pajtohen edhe subjektet opozitare – Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën.

“Malazezët e Kosovës si qytetarë lojalë të Republikës së Kosovës, plotësisht mbështesin marrëveshjen e nënshkrueme për demarkacionin e kufinit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi dhe konsiderojnë se, duhet sa ma parë të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, sepse kjo asht në interes të ndërsjelltë të dy shteteve fqinje. Kujtojmë se, opozita në rastin e demarkacionit të kufinit duhet me qenë konstruktive dhe pa dilemë me mbështetë këtë marrëveshje nga shkaku që kjo asht në interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës”, asht shprehë Vujicic.