Malazezët e Kosovës mirëpresin fjalimin e ambasadores Çitaku n’OKB

Shoqata e Malazezëve të Kosovës përmes nji komunikate për media ka mirëpritë fjalën e Vlora Çitakut, ambasadores së Republikës së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkueme, të mbajtun para do dite.

Ajo në fjalën e saj, ndër të tjera theksoi se, “Kosova asht shtet i pamvarun që iu përket të gjithë qytetarëve të saj, shqiptarëve, serbëve, malazezëve, romëve, turqve dhe të gjithë të tjerëve”.

Komunikata:

“Fjalët e ambasadores së Kosovës në Amerikë, Vlora Çitakut, të mbajtur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të KB, se Kosova është shtet i pavarur që u përket të gjithë qytetarëve të saj – shqiptarëve, serbëve, malazezëve, romëve, turqve dhe gjithë të tjerëve është konfirmim i përkushtimit të sinqertë dhe i gatishmërisë së institucioneve të Kosovës se komuniteti malazias brenda një afati sa më të shkurtër të bëhet kategori kushtetuese. Fjalët e saj në organin më të rëndësishëm të Kombeve të Bashkuara na bëjnë të besojmë dhe konfirmojnë se përpjekjet tona dhe mundi i investuar për zgjidhjen e pozitës kushtetuese juridike dhe përfaqësimin adekuat në Kuvendin e Kosovës nuk kanë qenë të kota. Misioni që ka filluar Shoqata e Malazezëve të Kosovës pa dyshim do të përmbyllet me sukses dhe mbi të gjitha do të arsyetojë ekzistimin tonë.

Dëshirojmë të bëjmë të ditur se malazezët e Kosovës pajtohet plotësisht me ambasadoren Çitaku se ringjallja e idesë për zgjidhje sipas vijës etnike është e rrezikshme për rajonin dhe si e tillë madje as që duhet të shqyrtohet, por duhet të hidhet poshtë”, thuhet në fund të komunikatës të nënshkruar nga Sllobodan M. Vujiçiq, në cilësinë e kryetarit të Shoqatës së malazezëve të Kosovës”.