Mali i Zi sqaron pse mungoi flamuri i Kosovës në Samit

Mungesa e flamujve të tre shteteve pjesëmarrëse në Samitin e Kartës së Adriatikut “US Adriatic Charter” ku ishin pjesëmarrëse liderët e shteteve të Shqipnisë, Bosnjës, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Sllovenisë, Kroacisë, Maqedonisë dhe normalisht Malit të Zi si mikpritës, asht sqarue nga Qeveria e Malit të Zi.

Insajderi ka kontaktue me zyrën e Kryeministrit të Malit të Zi, Dushko Markovic për me kërkue nji sqarim lidhun me faktin pse mungojnë flamujt e Kosovës, Serbisë dhe Sllovenisë në sallën ku asht zhvillue Samiti i Kartës së Adriatikut, mbasi edhe ato kanë qenë të pranishme në këtë ngjarje.

Srđan Kusovac, këshilltar i kryeministrit malazez, i ka thanë Insajderit se arsyeja e mungesës lidhet me faktin se Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë qenë vetëm mysafirè në këtë Samit.

“Samiti i Kartës së Adriatikut US Adriatic Charter, përbahet nga Mali i Zi, Shqipnia, Bosnja, Kroacia, Maqedonia dhe Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë qenë vetëm të ftueme në këtë Samit si mysafirë dhe për këtë arsye flamujt e këtyne shteteve nuk kanë qenë të pranishme në sallë”, ka thanë Kusovac për Insajderin.