Marrëveshja u nënshkrue në 2013’n, por Kosova ende pa kod telefonik

Lidhun me marrjen e kodit telefonik për Kosovën nga ana e ITU’s, e cila simbas marrëveshjes asht dashtë me u realizue me 1 Mars 2016, ministrja për Dialog, Edita Tahiri e ka dhanë nji deklaratë për media dhe opinionin e gjanë publik.

Ajo ka deklarue se dje e ka zhvillue nji bisedë telefonike me përfaqësuesit e BE’s, të angazhuem në Dialogun e Brukselit, për me i shpreh shqetësimet lidhun me moszbatimin e marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën.

Tahiri, ndër të tjera, e ka kujtue BE se çashtja e telekomit dhe në veçanti çashtja e kodit telefonik për Kosovën janë në tryezën e bisedimeve tash e pesë vjet, ndërsa marrëveshja asht arritë në shtator 2013, por që nga ajo kohë zbatimi ende nuk ka ndodh.

Në një bisedë të gjatë për këtë çështje, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian kanë njoftuar se Bashkimi Evropian po angazhohet intensivisht për çështjen e kodit telefonik për Kosovën dhe se kjo marrëveshje do të realizohet sa më shpejt që është e mundur. Ata kanë theksuar se procesi po shkon drejt finalizimit dhe janë disa çështje më tepër të natyrës teknike të cilat po marrin kohë, mirëpo janë shprehur optimistë se do të zgjidhen shpejtë. Bashkimi Evropian ka siguruar se marrëveshja e Brukselit për këtë çështje do të zbatohet dhe që Kosova dhe qytetarët e saj do ta kenë kodin telefonik për vendin e tyre, për të cilën përkushtimi i BE-së mbetet i plotë.
Po ashtu, zyrtar të BE-së kanë thënë se janë të vetëdijshëm se sa është e rëndësishme kjo çështje për qytetarët e Kosovës, si dhe e kanë parasysh se bisedimet për kodin telefonik kanë zgjatur me vite dhe se zbatimi i saj është vonuar, mirëpo kanë shprehur përkushtimin për ta përmbyllur këtë çështje, ndërkohë kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët e Kosovës me premtimin se në mënyrë prioritare do të zgjidhet“, thuhet në deklaratë.