Masakra e Tivarit, Kosova nuk din për viktimat

Edhe pse sot bahen bahen 71 vjet nga Masakra e Tivarit, kur mija rekrutë shqiptarë të Kosovës u masakruen nga forcat serbo-jugosllave, Kosova e as Shqipnia nuk e dinë ende numrin e saktë të viktimave.

Këtë e pranon edhe Drejtori i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj.

Për shkak të mungesës së dokumentacionit, Blakaj thotë se asht tepër i vështirë idenfitikimi i numrit të saktë të viktimave, e me këtë pajtohet edhe historiani Haki Kasumi.

Por anëtari i Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Persona të Pagjetun në Kuvendin e Kosovës, Mytaher Haskuka, mendon se pamvarsisht numrit, ata duhet me u përfshi në listën e dëshmorëve të kombit dhe familjet e tyne me e gëzue këtë status.

Por përgjegjësia kryesore simbas Haskukës bie mbi Akademinë e Shkencave, sepse si thotë ai, ata nuk po bajnë asgja për zbardhjen e këtyne rasteve.

Mirëpo historiani Haki Kasumi mbrohet tue thanë se kanë ba mjaft hulumtime, por janë institucionet ato që duhet me u marrë me këtë çashtje.

E derisa historiani e len fajin te institucionet në përgjithësi, ma i ashpër tregohet historiani nga Shqipnia, Uran Butka, autor i librit për Masakrën e Tivarit. Ai ka akuzue në mënyrë të drejtpërdrejtë të dy shtetet – Kosovën dhe Shqipninë – se nuk po bajnë asgja për zbardhjen e fatit të mija shqiptarëve.

Edhe studiuesi shqiptar nga Mali i Zi, Nail Draga tha për Televizionin Rrokum se Shqipnia dhe Kosova duhej ma s’paku të kishin kërkue ngritjen e nji memoriali për viktimat e masakrës, e cila kishte me shërbye si vend përkujtimi për këtë ngjarje tragjike.

Masakra e Tivarit e 1 Prillit 1945, në fund të Luftës së Dytë Botnore u krye nga forcat partizane të Armatës Jugosllave të Josif Broz Titos, por simbas historianit Uran Butka, aty morën pjesë edhe forcat partizane të Shqipnisë, e për këtë masakër, simbas Butkës, ka pasë dijeni edhe Enver Hoxha.

Që nga fundi i Marsit deri me 1 Prill, mendohet se 1700 – 4300 persona, kryesisht kundërshtarë të komunistëve dhe nacionalistë shqiptarë u masakruen përgjatë udhëtimit të tyne nga Prizreni përgjatë maleve deri në Tivar.

Dy prej dëshmitarëve të mbetun gjallë, e kujtojnë kështu masakrën¸në këto intervista të disa viteve ma parë.