MASHT: Deklaratat e Shpend Ahmetit për mbylljen e kopshteve parashkollore nga MASHT’i – tendencioze

Me anë të nji reagimi për media, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), sqaron se deklaratat e kryetarit të Prishtinës Shpend Ahmeti, për mbylljen e institucioneve parashkollore nga ana e MASHT’it janë të pavërteta dhe tendencioze.

 

Reagimi:

Inspektori i Arsimit në Prishtinë me dt. 23 shkurt 2016 ka lëshuar procesverbalin e inspektimit me rastin verifikimit të licencës në kopshtin “Ngjyrat” me bazë në komunitet me partneritet publiko-privat në Lagjen Hajvali në Prishtinë. Me këtë rast, Inspektori i Arsimit ka konstatuar që Kopshti “Ngjyrat” është regjistruar si organizatë jo-qeveritare në Ministrinë e Administratës Publike. Komuna e Prishtinës ka lidhur marrëveshje bashkëpunimin me këtë OJQ “Ngjyrat” në Lagjen Hajvali që të themelojnë institucionin parashkollor, Kopshtin “Ngjyrat” me përkrahje nga komuniteti. Inspektori i Arsimit, ka konstatuar që ky institucion parashkollor nuk posedon licencë për kryerjen e punës si institucion edukativo-arsimor. Ky fakt është pranuar edhe nga vetë menaxhmenti i kopshtit, duke sqaruar që për këtë çështje Komuna e Prishtinës ka marrë përsipër nxjerrjen e licencës në MASHT. Fatkeqësisht, MASHT deri më sot asnjëherë nuk ka pranuar një kërkesë të tillë nga Komuna e Prishtinës.

Sa më sipër, inspektori i arsimit ka rekomanduar pezullimin e ushtrimit të veprimtarisë edukative deri në pajisjen me licencë nga MASHT. Me këtë rast, inspektori i arsimit ka kryer detyrat dhe përgjegjësitë e tij ligjore, përkatësisht detyrat që dalin nga dispozitat e nenit 5.4 (a) të Ligjit për Inspeksionin e Arsimit në Kosove nr. 2004/37, ku thuhet “Inspektorët e arsimit ndërpresin dhe ndalojnë punën e institucioneve arsimore të pa licencuara”. Çdo veprim tjetër i inspektorit të arsimit në këtë rast do të ishte shkelje e detyrave dhe përgjegjësive ligjore. Inspektori i arsimit, saktësisht ka kërkuar respektimin dhe zbatimin e legjislacionit (pajisjen me licencë), ashtu siç kërkohet nga çdo institucion tjetër edukativo-arsimor.

Ligji Nr. 02/L-52 mbi Edukimin Parashkollor, përkatësisht neni 7, njeh të drejtën e ofrimit të shërbimeve të edukimit parashkollor nga komuniteti, kur në rrethin e vendbanimit të fëmijëve, nuk ka institucione parashkollore, me kushtin që kjo e drejtë të organizohet në përputhje me ligjet në fuqi. Në këtë drejtim, MASHT e njeh dhe vlerëson mbështetjen e Komunës së Prishtinës në përkrahjen e organizimeve të komunitetit në organizimin e institucioneve të edukimit parashkollor, por kjo përkrahje duhet jetë në përputhje me ligjin.

Ligji nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës (neni 46, paragrafi 1), përcakton qartë që çdo institucion edukativo-arsimor privat ose në partneritet që ofron edukim parashkollor duhet të pajiset me licencë nga Ministria. Pajisja me licencë është parakusht kyç për sigurimin e cilësisë së programit edukativo-arsimor dhe sigurisë së fëmijëve, përkatësisht garantimit të mirëqenies së fëmijëve. Programet edukativo-arsimore për fëmijët parashkollor duhet të bazohen në plan-programin e përgjithshëm të edukimit parashkollor. Pajisja me licencë është garanci e plotësimit të standardeve të kërkuara të edukimit parashkollor të cilat paraqesin kërkesat esenciale për ofrimin e edukimit parashkollor në Kosovë. Licenca garanton që institucionet e edukimit parashkollor ushtrojnë veprimtari në objekte dhe me pajisje të përshtatshme, sipas standardeve për shëndetin dhe sigurinë, përfshirë numrin dhe kualifikimet e edukatorëve.

Në fund, sigurojmë qytetarët e Komunës së Prishtinës që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do të mbështesë institucionet parashkollore me bazë në komunitet në Komunën e Prishtinës dhe këto institucione nuk do të mbyllen nga Ministria. Përkundrazi, MASHT do të ofrojë mbështetje të veçantë që kopshteve me bazë në komunitet në Komunën e Prishtinës, të ju ofrohet asistencë në përmbushjen e obligimeve ligjore, përkatësisht pajisjen me licencë.

Duke vlerësuar mbështetjen e Komunës së Prishtinës në përkrahjen e organizimeve të komunitetit në organizimin e institucioneve të edukimit parashkollor, i ftojmë organet komunale që të bashkëpunojnë në kuadër të përgjegjësive institucionale dhe për një zgjidhje të qëndrueshme të institucioneve parashkollore me bazë në komunitet.