Maturantët për herën e tretë dalin para kryeministrisë në Shqipni

“Ngërçi” i krijuem me listat e universiteteve bani që sot maturantët me protestue persëri para kryeministrisë në Shqipni.
Rreth orës 11:00 shumë prej tyne pritet të jenë përballë godinës qeveritare mbas kaosit që asht krijue nga formula e re e llogaritjes së degëve në universitete.

Kjo do jetë protesta e tretë që maturantët kanë me zhvillue.

Dy protestat e maparshme janë zhvillue perballë kryeministrisë dhe përballë parlamentit.

Maturantët kerkojnë që në raundin e dytë të bahen ndryshime në kriteret e pranimit në universitet.

Lëvizja Për Universitetin do të jetë përkrah tyne në këtë kauzë që simbas tyne asht kundër kaosit qeveritar dhe lojës me fatet e të rijve, për hir të interesave klienteliste me diplomat private.

“Raundi i dytë i pranimeve në universitet, të jetë simbas sistemit të vjetër, meritë-preferencës.

Të mos të dalin fitues në 10 degë. Si dhe heqja e grup landëve me zgjedhje nëpër kriteret e fakulteteve, mbasi kjo gja ka ba që nxanës me mesatare të naltë, por që nuk i kanë zgjedh ato landë në kurrikulën e landëve me zgjedhje, apo nuk janë zhvillue fare në gjimnazet ku ata kanë krye shkollën e mesme po dalin në fundin e listave”, janë kerkesat e maturantëve në Shqipni.