Mbaron takimi urgjent, çka thonë eurodeputetët dhe Johannes Hahn për Maqedoninë

Eurodeputët Ivo Vajgl, Richard Hovit dhe Eduard Kukan, që kanë marrë pjesë si ndërmjetësues në bisedimet e Marrëveshjes së Përzhinos, sot kanë shpreh shqetësim të thellë për shkak të ngjarjeve të fundit në Maqedoni.

Ata u banë thirrje partive politike me punue bashkë në interes të qytetarëve dhe të shtetit dhe me u kthye në përkushtimin e tyne për implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos, e cila simbas tyne asht e vetmja mënyrë për me dale nga kriza, njofton Portalb.

“Jemi thellë të shqetësuem në lidhje me ngjarjet e fundit në Shkup. Marrëveshja e Përzhinos patjetër duhet me u implementue, përfshi edhe pjesët që janë të lidhuna me mbrojtjen dhe përforcimin e sundimit të së drejtës në shtet, por edhe që të sigurohet mbajtje e zgjedhjeve të besueshme”, thuhet në njoftimin eurodeputetëve mbas takimit me eurokomesarin Johannes Hahn, në lidhje me ngjarjet e fundit në Maqedoni, përfshir edhe vendimin e djeshëm të Presidentit Ivanov që i fali tanë politikanët që janë në hetim.

Eurodeputetët vlerësojnë se vendimi i Ivanov’it për me i ndale të gjitha proceset gjyqësore ndaj politikanëve dhe funksionarëve dhe amnistimin e tyre, seriozisht mundet me rrezikue Maqedoninë.

“Besojmë që vendimi i Presidentit Ivanov për amnistim të përgjithshëm të tanë të dyshuemve që janë pjesë e skandalit me përgjime mundet me varros sundimin e ligjit dhe me zmadhue ndjenjën e mosndëshkimit të personave të akuzuem nga Prokuroria Themelore dhe Prokuroria Speciale. Gjithashtu jemi të shqetësuem se këto ngjarjet e fundit paraqesin rrezik plotësues për stabilitetin e shtetit dhe për integrimet e saja euro-atlantike dhe perspektivën europiane”, qëndron në njoftim e eurodeputetëve.

Ata theksojnë se qëndrojnë të përkushtuem dhe të hapun plotësisht për bisedime me liderët e partive politike, po edhe për gjetjen e nji mënyre për me i tejkalue ngecjet e fundit serioze dhe me sigurue që Marrëveshja e Përzhinos plotësisht të implementohet, para se gjithash për popullin e Maqedonisë dhe shtetin.