Mbas 24 orësh, arrihet marrëveshja për koalicionin e madh në Gjermani

Mbas nji takimi maratonik prej gati 24 orësh u kumtue vendimi për marrëveshjen.

Kancelarja Merkel mbetet në këtë post.

Liderët e partive të Unionit CDU/CSU Angela Merkel dhe Horst Seehofer si dhe ai i socialdemokratëve Martin Schulz, siç njoftojnë agjencitë gjermane të lajmeve, kanë arritë marrëveshje gjatë nji takimi prej gati 24 orësh, me vazhdue koalicionin e madh në Gjermani.

Përfaqësuesit e partive kanë hartue nji dokument prej 28 faqesh, i cili asht pajtue gjatë këtyne bisedimeve në nivelin ma të naltë, thonë qarqet e afërta me negociatorët.

Angela Merkel, Horst Seehofer dhe Martin Schulz kanë paraqitë gjatë ditës këtë marrëveshje para gazetarëve, raporton DW.

Bisedimet përfundimtare mes këtyne partive për vazhdimin e koalicionit i cili edhe tash asht në pushtet, kanë fillue para nji jave.

Gjatë bisedimeve ka pasë mosmarrëveshje dhe tendosje për shumë çashtje: refugjatët, ekonominë, financat… por thuhet se ato janë harmonizue.

Gjatë ditës do të dihet ma shumë për marrëveshjet e arrituna.

Këtë marrëveshje duhet me miratue edhe organet e partive të cilat do të futen në koalicion.

 

Shperndaje në: