Mbas Britanisë, këto janë 5 vendet që munden me dalë nga BE’ja

Mbas votës së referendumit historik që i dha fund anëtarësimit të Britanisë në Bashkimin Europian, vendet e unionit i kanë kërkue Londrës që me i nisë menjiherë bisedimet për me u shkëputë nga blloku.

Deklarata asht ba në takimin urgjent të 6 vendeve themeluese të Bashkimit Europian mbajtun në Berlin. Ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se bisedimet duhet me fillue sa ma shpejt që të jetë e mundun.

Të Premten, ministri i Jashtëm gjerman deklaroi për mediat vendase se negocimi i kushteve të daljes së Britanisë ishte i vështirë, por megjithatë udhëheqësit europianë janë angazhue tashma në krijimin e nji kursi të ri, i cili trajton norma të nalta të papunësisë së të rijve, dhe çashtje të tjera të ngrituna përmes referendumit në Mbretninë e Bashkueme.

Ai tha se bisedimet e shpejta janë thelbësore në mënyrë që anëtarët e mbetun me mujt me u përqendrue në të ardhmen e Europës.

Gjashtë vendet që ndjekin bisedimet në Berlin: Gjermania, Franca, Italia, Belgjika, Luksemburgu dhe Holanda bashkuen forcat në vitin 1950 dhe ende formojnë bërthamën e BE’s.

Simbas gazetave gjermane që citojnë nji dokument strategjik të Ministrisë së Financave, zyrtarët gjermanë janë të shqetësuem, se Franca, Holanda, Austria, Finlanda dhe Hungaria, gjithashtu munden me kërkue me u largue nga Bashkimi Europian mbas largimit të Britanisë.

Samiti i parë i liderëve të BE’s pa praninë e britanikëve ka me u mbajtë të Mërkurën.