Mbas Hashim Thaçit, Kadri Veseli zgjedhet lider suprem i PDK’s

Ashtu si pritej, pa asnji votë kundër e asnji abstenim, Kadri Veseli erdhi n’krye të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai u urue me buqeta të shumta lulesh, me shtrëngim duersh mes delegatëve dhe me duartrokitje të mëdha.

Në fjalimin e tij dhe nën emocione të shumta, Veseli falenderoi të gjithë për besimin dhe në veçanti themeluesin e kësaj partie Hashim Thaçin.

Mirëpo Veseli, që ishte kandidati i vetëm për kryetar, në fjalën e tij para votimit final, pati kërkue që nëse ende dikush deshiron me kandidue për kryetar, asht i lirë me e ba këtë.

Por askush nuk mori guxim me qenë kundërkandidat i tij në këtë garë, ndoshta sepse ardhja e tij në krye të PDK, ishte paralajmërue moti.

Bashkë me disa ndryshime të vogla staturore, zgjedhja e Kadri Veselit kryetar, ishin ngjarjet e vetme në Konventën e VII të Jashtëzakonshme të Partisë Demokratike, e cila u hap me fjalet e Hajredin Kuçit, se PDK ka me dalë ma e fuqishme nga kjo Konventë.

Po aq fuqishëm sa ka value flamuri në duert e ish-kryetarit Hashim Thaçi, aq fuqishëm ka me value edhe në duert e kryetarit të ri, – tha Kuçi.

Kuçi shtoi se ky asht nji moment i randësishëm jo vetëm për PDK, por për gjithë Kosovën, dhe se me kryetarin e ri PDK ka me mbajtë dyert hapë për vullnet dhe ideja të reja.

Edhe nënkryetari Enver Hoxhaj e quejti Kadri Veselin lider të denjë për me e vazhdue Misionin e Ri.

Njajtë si Kuçi, edhe Hoxhaj tha se të gjitha të mirat që ka tash Kosova, përfshi edhe liberalizmin e vizave, janë meritë e PDK’s, e saktësisht e Hashim Thaçit.

Fjalët e mira i kishte pa hesap edhe nënkryetari tjetër Arsim Bajrami i cili tha se PDK e themelueme para 17 vitesh, mori përsipër ndërtimin e shtetit dhe implementimin e pamvarësisë tu’ u pri nga lideri historik Hashim Thaçi.

Simbas tij, Kadri Veseli, ka shumëçka për me i dhanë Kosovës.

Por ndryshe ka folë deputeti, e njiherit delegati i Konventës së sotme, Nait Hasani.

Ai kërkoi nga të pranishmit që mos me e lejue PDK me u kthye në nji parti komuniste.

Në Konventë morën pjesë 740 delegatë, ku ma i lumtuni dukej Kadri Veseli.

E mbas urimeve të delegatëve, i pari që e uroi zyrtarisht Kadri Veselin ishte paraardhësi i tij, Presidenti Hashim Thaçi, i cili asht i bindun se kryetari i ri dhe lidershipi i PDK’s, ka me i forcue institucionet, ka me i thellue reformat demokratike dhe me fuqize unitetin e vendit.

E në fund të Konventës, PDK doli me nji deklaratë politike, ku përmes 19 pikave, shpaloset qëndrimi i kësaj partie për çashtje të mbrendshme, por dhe për zhvillimet në vend.

Në piken shtatë të kësaj deklarate, PDK zotohet që ka me luftue edhe korrupcionin.
Që prej themelimit 16 vjet ma parë, e deri para 2 muejsh, PDK asht udhëheqë nga Hashim Thaçi, ish-drejtor politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht President i Republikës.

Ndërsa në qeveri, PDK asht që nga viti 2007, kur për herë të parë i fitoi zgjedhjet parlamentare, mbasi që nga mbaslufta ato i fitoi LDK e udhëhequn nga ish-presidenti, Ibrahim Rugova.