Mbas shpalljes se rezultateve, këto janë procedurat për formimin e Qeverisë

Qeveria e Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtuna me 11 Qershor.

Në bazë të rezultatit përfundimtar, kryetarja Daka ka konfirmue se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fitue 39 ulëse në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka fitue 32 ulëse, kurse në vendin e tretë asht koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën me 29 ulëse.

Nga komunitetet pakicë, prin Lista Serbe, e cila ka fitue 9 ulëse, kurse Partia e Pamvarun Libera ka marrë nji ulëse. Po ashtu, edhe komuniteteve joserbe ju janë nda 10 ulëset e garantueme.

Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjedhet me mandat katërvjeçar, tue fillue nga dita e seancës konstituive, që mbahet mbrenda tridhetë ditëve nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi, thotë se Kuvendi konsiderohet i konstituuem mbas mbajtjes së seancës së parë, në të cilën bahet verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës dhe Nismës munden me propozue Kryetarin e Kuvendit, thotë Krasniqi.

Mbas konstituimit të Kuvendit, fillon procedura e zgjedhjes së Qeverisë, thotë Krasniqi.

“Mbas konstituimit të Kuvendit, radha i vjen zgjedhjes së Qeverisë. Presidenti duhet që herën e parë me ia dhanë të drejtën koalicionit PAN, si koalicioni i parë që me propozue kandidatin për kryeministër, i cili kandidat paraqet përbamjen e Qeverisë para deputetëve dhe deputetët duhenme votue me të paktën 50 plus 1 për qind (61 vota të deputetëve) në mënyrë që Qeveria të quhet e zgjedhun”, tha Krasniqi.

Zgjedhja e Qeverisë mundet me kalue edhe në rrethin e dytë, nëse në përpjekjen e parë dështohet të sigurohet përkrahja në Kuvend.

Albert Krasniqi thotë se hera e dytë, mbetet në diskrecionin e Presidentit që me vendos se kujt ja jep mandatin.

“Hera e dytë asht në diskrecion të Presidentit, mbasi që nuk kufizohet me ja dhanë mandatin partisë së dytë apo të tretë, por mvarësisht atij subjekti politik i cili ia dëshmon Presidentit se ka numrin e nevojshëm të votave për me zgjedhë Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme”, tha Krasniqi.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet e reja të parakohshme, të cilat duhet të mbahen jo ma vonë se katërdhetë (40) ditë nga dita e shpalljes së tyne.