Me 16 ditë vonesë, LDK nxjerr videon e sulmit ndaj shtëpisë së Mustafës

Këto janë pamjet e sulmit me molotov ndaj shtëpisë së Kryeministrit Isa Mustafa, të ndodhun mbramjen e 26 Frorit 2016, mbas zgjedhjes së Hashim Thaçit President i Republikës, e që Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi me i publikue me 16 ditë vonesë!

E ndoshta nuk kishte me i publikue hiç, nëse nji ditë ma parë, persona ende të paidentifikuem, por të vetëquejtën “Qytetarët e Pakënaqun” nuk kishin me sulmue Zyrën e Presindentit të Republikës. Mbas këtij sulmi, Qeveria, LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u përfshinë në nji luftë të ashpër deklaratash, kur Qeveria e akuzoi opozitën se futi molotovin në jetën politike të vendit.

Mirëpo sot, bashkë me publikimin e kësaj videoje, LDK thotë se nuk i paragjykon autorët e sulmit, edhe pse, pak rreshta ma poshtë, në të njajtën deklaratë zyrtare, kujton 6 çantat me 39 shishe koktejl molotovi që policia gjeti në selinë e Vetëvendosjes.

Mbasi përmendi edhe rastet e tjera të sulmeve ndaj veturave të zyrtarëve, por edhe institucioneve, LDK u ban thirrje organeve të drejtësisë me i gjetë autorët e sulmit ndaj shtëpisë së Kryeministrit.

Por nga ana tjetër, nji prej këtyne organeve, Policia e Kosovës, përmes nji komunikate zyrtare, deklaron se nuk ka ende asnji të dyshuem për rastin e shtëpisë së Kryeministrit, e as për sulmin ndaj Zyrës së Presidentit.

Pa përmendë asnji rast në veçanti e me nji gjuhë akrobatike, Policia e Kosovës deklaron se ka ndërmarrë të gjihta veprimet e nevojshme për hetimin dhe zbardhjen e rasteve që i klasifikon si “dëmtim apo asgjësim i pasunisë shtetnore dhe private”.

Policia thotë se ka konfiskue dhe po analizon dëshmitë dhe inçizimet nga kamerat e sigurisë, si dhe se ka shtue praninë policore, jo vetëm me uniforma, por edhe civilë.

Mbasi njofton se hetimet po shkojnë drejt identifikimit dhe arrestimit të personave që dyshohen se janë përfshi në këto raste, policia fton edhe qytetarët që përmes telefonatave në 3 numrat pa pagesë: 192, 0800 19 999 dhe 038 55 09 99, me dhanë informacione për autorët.