Mediumi rus: Kosova u mundue me korruptue Papën me 10 milionë euro

Agjencia ruse e lajmeve Sputnik, shumë e afërt me Vladimir Putin, raporton, tue u bazue edhe në disa media në Serbi, se shteti i Kosovës ka tentue ta blejë njohjen e Vatikanit, tue ofrue nji ryshfet prej 10 milionë eurosh, njofton Klan Kosova.

Sputnik për këtë çashtje ka ba nji intervistë me Ambasadorin e Serbisë në UNESCO, Darko Tanaskovic.

“Edhe nëse Papa Francesco udhëton për në Prishtinë, gja që unë e vnoj në dyshim, sepse nga kandvështrimi ndërkombëtar Kosova vazhdon të mbetet pjesë e Serbisë, kjo nuk don me thanë se Vatikani po e njeh Kosovën si shtet të pamvarun”, ka thanë Tanaskovic për Sputnik.

Këto lajme, rreth ofrimit të pareve Vatikanit, kanë fillue mbasi që Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi se Papa e ka ndërmend të bajë nji vizitë në Kosovë dhe “ta njoh realitetin e ri në Ballkan”.

Por, Tanaskovic thotë për Sputnik se këto deklarata të Thaçit nuk duhet të merren seriozisht.

Madje serbi, deklaron se shqiptarët kanë përdorë shejtniminn e Nanës Terezë për të “prezentue ftyrën e tyne në Vatikan”.