Merkel e uron Trump’in, por ka nji ‘paralajmërim’

Krejt udhëheqësit botnor po pajtohen me faktin që do t’ju duhet me bashkëpunue me Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë në katër vitet e ardhshme dhe kanë nisë me ure atë për zgjedhjen në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Vladimir Putin ishte ndër të parët që e bani, tue shtue se shpresonte që me Presidentin e ri dialogu t’i shërbante të dy vendeve.

Më pas edhe Francois Hollande dhe Theresa May.

Presidenti francez dhe kryeministrja britanike, që gjatë fushatës qortuen retorikën e Trump, u mjaftuen me nji urim “të thatë” për fitoren e tij.

Ma e kujdesshme u tregue kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ajo doli në nji konferencë për media ku u dok se kishte përzgjedh imtësisht fjalët që kishte me shqiptue.

“Uroj për fitoren, fituesin e zgjedhjeve Presidenciale në Shtetet e Bashkueme, Donald Trump.

Shtetet e Bashkueme janë nji demokraci e vjetër dhe e nderueme.

Zgjedhjet e këtij viti ishin të veçanta, me përplasje të forta dhe disa deklarata që veshtirë se kapërdihen. Edhe unë, si shumë prej jush, ndoqa me ankth rezultatin e këtyne zgjedhjeve”, nisi deklaratën e saj kancelarja gjermane.

Mbas urimit tradicional, Merkel ceku tërthorazi retorikën e përdorun nga kandidati republikan pergjatë fushatës elektorale, sidomos deklaratave të tij rreth emigracionit dhe myslimanëve.

“Njeriu që amerikanët zgjodhën që të ishte Presidenti i tyne në zgjedhje të lira dhe të ndershme, ka nji ndikim përtej Shteteve të Bashkueme, perfshi Gjermaninë.

Nuk ka vend tjetër jashtë BE’s me lidhje ma të forta për neve sesa SHBA.

Dy vendet tona janë të lidhuna nga vlerat, demokracia, liria, respektimi i ligjit dhe respektimi i njerëzve, pamvarësisht origjinës, ngjyrës së lëkurës, fesë, gjinisë, orientimit seksual apo përkatësisë politike”, shton kancelarja gjermane.

E në bazë të kësaj lidhje dhe të këtyne vlerave, Merkel la të kuptohet se ka me u kushtëzue edhe bashkëpunimi mes dy vendeve.

 “Në bazë të këtyre vlerave, shpreh vullnetin për me punue ngushtë në t’ardhmen me Presidentin e Shteteve të Bashkueme, Donald Trump.