Merkel: Veprimet ruse kanë gërrye besimin me Perëndimin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha se veprimet e Rusisë në Ukrainë kanë gërrye besimin me Perëndimin dhe kanë trazue shtetet e NATO’s në Europën Lindore.

“Nëse me fjalë dhe vepra vihen në pikëpyetje vlefshmënia e ligjit ndërkombëtar dhe paprekshmënia e kufijve, atëherë besimi natyrisht se humb”, tha Merkel para Parlamentit gjerman.

Ajo i bani komentet në prag të samitit të NATO’s, më 8 dhe 9 Korrik në Varshavë, ku veprimet e Moskës në Europën Lindore do të jenë në krye të agjendës.

Marrëdhaniet midis NATO’s dhe Rusisë kanë ra në nivelin ma t’ulët që nga Lufta e Ftohtë, për shkak të aneksimit të gadishullit ukrainas të Krimesë nga Moska në vitin 2014 dhe rolit të Moskës në konfliktin ushtarak në lindje të Ukrainës.

Merkel tha se liderat e NATO’s në Varshavë duhet t’ju ofrojnë siguri shteteve baltike dhe Polonisë.

Merkel tha po ashtu se Perëndimi duhet me vazhdue dialogun me Rusinë.

“Na krejt pajtohemi se siguria e përhershme n’Europë mund t’arrihet vetëm me Rusinë dhe jo kundër saj”, tha Merkel.

NATO dhe Rusia kanë ra dakord që të mblidhen për bisedime më 13 Korrik, në selinë e NATO’s në Bruksel.