Mimoza Kusari-Lila e ‘godet’ LDK’n e PDK’n. Qe për çka!

Kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka kritiku ashpër asamblistët e LDK’s dhe PDK’s të Komunës së Prishtinës lidhun me refuzimin e propozimit të Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për dhanien në shfrytëzim afatgjatë të pronës Komunale, për ndërtimin e Ambasadës së Republikës së Shqipnisë.

Kryetarja e Gjakovës në nji postim në Facebook ka thanë se këto dy parti nuk u pajtuen për këtë çashtje për tri arsyeje.

Ky asht postimi i plotë i Kusari-Lilës në Facebook:

Turpi i “dashurisë kombëtare”

Ditë më parë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale në Prishtinë ndodhi ajo që më së paku duhej të ndodhte, u refuzua propozimi i Kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti për dhënie në shfrytëzim afatgjatë të pronës Komunale, për ndërtimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Prishtinë. Dy partitë opozitare në nivelin komunal LDK dhe PDK dhe njëkohësisht dy partnerët e koalicionit në nivelin qendror, nuk e përkrahen këtë propozim me tri arsye kryesore:

1. LDK me faktin se në vitin 2007 kjo tokë i ishte ndarë Lidhjes Demokratike për ndërtim të selisë së kësaj partie.

2. Për faktin se sipas opozitës, propozimi kishte ardhë tri ditë më herët pa paralajmërim nga ana e Kryetarit të Prishtinës si dhe

3. Për arsyen e tretë, se Kryetari po mundohet që kinse me kauza patriotike të zhvillojë lojë politike. Të tri arsyet e prezantuara nga opozita në Prishtinë janë aq banale dhe të paqëndrueshme sa që të vie ndjenja të thuhet: Anuloni mbledhjen e dy Qeverive për nesër. Fare mos të takohen Kryeministrat Rama dhe Mustafa.

Është qëndrim i shpifur se duhen apo kanë agjendë të përbashkët zhvillimore, se nuk kanë. Kanë qëndrim fallso ndaj njëri tjetrit. Nëse dy partitë në koalicionin qendror në Kosovë ngrehin argumete për të zhvilluar betejë të politikës lokale dhe rrezikojnë atë kombëtare, më mirë fare të mos shtiremi se kemi agjendë të bashkëpunimit kombëtar. Argumenti i parë se toka është ndarë partisë politike për ndërtim të selisë është argument në kundërshti të plotë me ligjin e aplikueshëm në Kosovë. Ligji mbi dhënien në shfrytëzim dhe këmbin të pronës së paluajtshme komunale nr. 04/L – 144, nuk e lejon dhënien e tokës partive politike.

Specifikisht Neni 10 i këtij ligji e parasheh që institucionet të cilave mund të ju ipet tokë në shfrytëzim janë: përfaqësitë diplomatike dhe konsullare, institucionet ndërkombtare që kanë marrëveshje me Republikën e Kosovës, agjencionet qeveritare si dhe bashkësitë fetare. Edhe sikur Kryetari Ahmeti të ishte gjeneros me opozitën dhe të vendoste që tokën t’ia kalonte një partie politike, e njejta do të duhet të bënte kallzim penal ndaj Kryetarit (sikur kanë bërë deri më tani për raste tjera) ngase Kryetari do të bënte shkelje ligjore.

Argumenti i dytë, se partitë opozitare janë lajmëruar vonë për këtë vendim të Kryetarit Ahmeti është po aq i paqëndrueshëm sa i pari. Duke mos dashur ta bëj avokatin e kolegut tim Kryetarit Ahmeti, publikisht deklaroj se të paktën një javë para mbledhjes së asamblesë kam rastis të jem në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë dhe kuptova rastësisht se Ambasada ka qenë në kontakt me dy grupet opozitare politike dhe se shumë mirë e kanë ditur për cilën pronë dhe me cilën procedurë pritet të votohet dhënia në shfrytëzim e kësaj pronë.

E pavërteta e deklaruar nga ata që nuk e votuan propozimin për tokën është dhënë vetëm sa për të arsyetuar vendimin e tyre. Argumenti i tretë për kuazi patriotizmin e Shpendit është po aq banal dhe i paqëndrueshëm sa dy të parat. Kjo tokë nuk i ipet nga prona private e Kryetarit Ahmeti, as vetëm nga komuna e Prishtinës, por është tokë e Kosovës për Republikën e Shqipërisë.

Njejtë sikur është ndërtesa dhe toka e Republikës së Shqipërisë midis Tiranës për Ambasadën e Kosovës. Në situatën e krijuar e pakëta që duhet të ndodh është kërkim falje publike Republikës së Shqipërisë dhe popullit Shqiptar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe caktimi i menjëhershëm i mbledhjes tjetër të jashtëzakonshme të Asamblesë Komunale në Prishtinë për larje të turpit nga vendimi i parë. Bëni politikë lokale sa të doni, por aman mos përzini interesin kombëtar se nuk është lojë fjalësh por është serioziteti i një shteti në pyetje. Çfarë arsyetimi do të ketë nesër Kryeministri Mustafa dhe Kryetari Veseli para Kryeministrit Rama nuk e di, por një e di, se kanë rrëshqitur keq në verbërinë e luftë politike lokale dhe kanë harruar nderin që Republika e Shqipërisë ia bëri Kosovës, nëse me asgjë tjetër, me tokë dhe ndërtesë të gatshme midis Tiranës. Dashuri ashiqare se nuk keni në mes vete, të paktën nder dhe respekt minimal të ndërsjellë mundohuni të keni.