Misteri i Ramiz Alisë: 4 tonelata flori në 2 banka të Zvicrës!

Disa dokumente të publikueme sot tregojnë se në periudha të ndryshme gjatë vitit 1990, nga Banka e Shqipnisë janë transportu drejt dy bankave zvicerane pako me peshë dikun prej katër tonëve.

Faturat tregojnë se Banka e Shqipnisë ka rezervu vendin n’aeroplanin e transportit të shoqnisë “Swissair”. Solitë janë marrë në dorëzim nga “Union Bank of Switserland” dhe “Credit Suisse”.

E përditshmja që i publikoi këto dokumente, “Gazeta Shqiptare”, shkruen se janë katër tonë ar të depozituem në bankat e Zvicrës, por nuk asht e mundun të investigohet ma tej për arsye të sekretit që ruejnë bankat e Zvicrës.

Shkresa që kerkonte sigurimin e vendit n’aeroplan mban firmën e ish-Drejtorit të Bankës së Shtetit, Qirjako Mihali, njikohësisht nji nga anëtarët e Byrosë Politike të Partisë së Punës.

Gjurmë për përmbajtjen e këtyne dërgesave mund të gjenden sot n’arkivin e Bankës së Shqipnisë, por gazeta shkruen se Guvernatori Sejko nuk ka pranu të presë gazetarin Artur Çani.

Në dokumentet e publikuara nuk shkruhet në asnji vend se kolitë përmbanin flori, por kjo konsiderohet si e mirëqenë. Simbas GSH, vlera e arit të dërgueme n’atë kohë në Zvicër arrinte në 150 milionë dollarë amerikanë.

Në bankat e Zvicrës asht e mundun të depozitosh jo vetëm monedha e kartëmonedha, por edhe sende me vlerë, sikurse janë metalet e çmueme, ku përfshihet edhe ari.

Gjithashtu mund të depozitohen edhe sende që kanë nevojë për nji ruejtje të posaçme, sikurse mund të jenë kaseta filmike, dokumente e shumë gjana të tjera të këtij lloji, deri edhe matricat për prodhimin e kartëmonedhave.

Bankat shpeshherë nuk janë vetëm ruejtëse të depozitave dhe metaleve të çmueme, por edhe të sekreteve të mëdha.

Gjithsesi, dokumentet hedhin dritë mbi marrëdhaniet që shteti komunist mbante me vendet e damkosuna si “borgjeze”, që për njerëzit e thjeshtë n’atë kohë mund të përbante nji çudi.

N’atë kohë, vendin e drejtonte i ndjemi Ramiz Alia, pasardhës i Enver Hoxhës.