Muhaxheri: Nëse PDK nuk don, LDK asht e gatshme me vazhdue vetqeverisjen

Moskalimi i ndryshimeve buxhetore në Komunën e Pejës, ka ba që dy drejtor nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës të shkarkohen nga pozitat e tyne.

Ishin Ukë Selimaj i Shërbimeve Publike, dhe Sali Lajçi i Urbanizmit, drejtorët që para disa ditëve u shkarkuen nga kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.

Ky i fundit, në një prononcim për Indeksonline tregon gjithë problemin që nisi me këta drejtorë.

Shkarkimi i dy drejtorëve ka ardhur si rezultat i një mosmarrëveshjeve që e kemi pas rreth votimit të ndryshimeve buxhetore që bëhet çdo gjashtë-mujor. Ne jemi marrë vesh si partner të koalicionit me i bë disa ndryshime buxhetore, ata pa asnjë paralajmërim nuk i kanë votuar, kjo ka qenë reagimi im. Ata i kanë obligim që politikat e kryetarit që i kemi për qeverisje me i votu, për ata edhe janë në koalicion dhe i kanë katër drejtori”, thotë ai.

Muhaxheri u shpreh se ende s’asht caktue nëse në këto pozita kane me u zëvendësue dy drejtorët e PDK. Simbas tij, nëse partia e Kadri Veselit s’asht e gatshme me vazhdue koalicionin, LDK ka me vazhdue e vetme qeverisjen lokale.

Mbetet në ditët në vijim me partnerin e koalicionit me diskutu vullnetin e tyre për me vazhdu koalicioni apo për me ndërpre. Nuk kam preferenca për vazhdim po mosvazhdim, ne e kemi nis me qeveris bashkërisht por nëse mendojnë ata që duhet me ndërru politikat qeverisëse të miat, ata janë në Qeverisë se unë i kam marrë votat dhe unë jam ai që i caktoj politikat programore ose qeverisëse në Komunën e Pejës. Nëse kanë kërkesa tyre, ata duhet me i bë me shkrim e me i diskutu, por jo në mënyrë të paparalajmëruar dhe pa arsyetim mos me votu buxhetin”, tha Muhaxheri, tue shtue se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka nevojë me hy në koalicione tjera, mbasi asht e gatshme me qeveris e vetme.

Nuk ka shumë telashe për atë punë”, tha në fund kryetari i Pejës.