Mustafa e Veseli bojkotojnë Presidenten për dhunën seksuale

Kryeministri Isa Mustafa e madje as Kryetari i Kuvendit, i cili në orët e paradites pati takim lamtumires me Presidenten e Republikës, nuk u paraqitën në mbledhjen përmbyllëse të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuemit të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës.
E derisa ishin parapa në agjendë, atyne iu hoq me kujdes emni nga vendet e rezervueme në tryezën qendore të protagonistëve.
Mirëpo mbas interesimit të Televizioni Rrokum, Qeveria nuk e përmendi mungesën e Kryeministrit, por u mjaftue tu’ deklarue se ka qenë e përfaqësueme në këtë mbledhje përmes ministrave.
Në fjalën e hapjes, Presidentja Atifete Jahjaga tha se ndihet krenare që arriti me e thy’ këtë tabu, këtu e 2 vjet ma parë. E bindun se ka ndihmue në ndryshimin e diskursit të historisë dhe se me këtë Kosova u ba shembull për botën, Presidentja e pati nji amanet për mbasardhësin e saj, Hashim Thaçi.
I pranishëm në këtë mbledhje, Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se nji numër i madh i rasteve nuk janë raportue para organeve të drejtësisë.
E në mungesë të Kryeministrit, fjalën e mori zadhanësi i tij Arban Abrashi, i cili premtoi kontributin e Qeverisë për këtë kategori, të njatën mbështetje e dha edhe Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Ndërsa Ambasadori Amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tu’ e nisë në shqip fjalën e tij, kërkoi që drejtësia me u çue në vend.
“Viktimat e dhunës duhen me qenë qendër e shoqnisë tonë, sepse ato janë shejat e ndërtimit të Kosovës, pamvarësisht sfidat që ato kanë kalue.

Unë si Ambasador i inkurajoj Ministrinë e Drejtësisë dhe Prokurorët që me i sjellë para drejtësisë autorët e krimeve. Kërkoj që drejtësia me u çue në vend”, tha Delawie.
Drejtorja Egzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabitlitimin e Viktimave të Torturës, Feride Rushiti tha se këto plagë vazhdojnë me mbetë te nanat dhe vajzat tona.
E krejt në fund të fjalimeve, përmes nji shënimi në letër, Presidentja i kërkoi edhe ambasadores turke në Kosovë me folë në këtë mbledhje.
Ajo nuk ia prishi Presidentes dhe i dha asaj mbështetjen e pakursyeme.
Ndërsa nëpërmjet nji videomesazhi, baronesha angleze Joyce Anelay, u foli të pranishmëve për nismën e Presidentes së Republikës.
Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituem në Kosovë, deputetë, si dhe përfaqësues të shoqnisë civile.
Mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuemit e Dhunës Seksuale Gjatë Luftës u mbajtë me 7 Mars të vitit 2014.