Mustafa fyen deputetët. Qe qysh i përgjigjen ata atij

Kryetari i LDK’s, njiherit Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i cili dje përmes deputetëve të tij ja mundësoi Hashim Thaçit uljen në karrigën e Presidentit, i ka fye sot deputetët e partisë së tij që nuk morën pjesë në seancë.

Ai i ka quejtë frikacakë deputetët, Vjosa Osmani, Anton Quni, Adem Salihaj, Hati Baxhaku e Shpejtim Bulliqi.

Mustafa gjithashu ka shkrue edhe për ngjarjet e djeshme, ku simbas policisë asht sulmue edhe shtëpia e tij me shishe të koktej molotovit, mirëpo kryeministrit i interesoi se ku ishin deputetët që dy vjet ma parë, morën vota n’emën të LDK’s.

“Frikohesha se janë zanë peng në çadrat e Vetëvendosjes. Por, jo! Dikush më tha se i kanë frikësue, e tjetri se kanë fluturue, me marrë udhëzime në çadrat e verës australiane. Kryesorja që janë gjallë! Ata që e respektuen votën e qytetarëve ishin në Parlament. Nuk u frikësuen”, ka shkrue Mustafa në Facebook.

Mirëpo i kontaktuem përmes telefonit, deputeti që e kundërshtoi Mustafën edhe për Demarkacionin me Malin e Zi, tu’ i thanë që kanë gabue më këtë marrëveshje, si dhe që refuzoi pjesmarrjen e djeshmë në seancë, Shpejtim Bulliqi i ka reague
Kryeministrit tu’ i thanë, se atë nuk e ka zgjedhë Mustafa, por votuesit dhe rrjedhimisht ka ndigjue kërkesat e tyne. Po përmes telefonit, Bulliqi foli edhe për kërcënimin që ka marrë pafra do kohe nga Mustafa, se deputetët që nuk veprojnë simbas vendimeve të Kryesisë, kanë me u përjashtue nga listat zgjedhore. Bulliqi tha se nuk e ka fort problem këtë kërcënim.

Simbas tij, LDK’ja nuk asht parti private e Isa Mustafës. Por Bulliqi ka sigurue se ka me vazhdue me qenë pjesë e Grupit Parlamentar të LDK’s edhe ma tutje, sepse 26 vjet në këtë parti, simbas tij nuk janë pak.

Edhe deputeti tjetër i LDK’s që refuzoi me qenë pjesë e seancës së djeshmë i ka reague Kryeministrit, tu’ i thanë se vendimi ka qenë i pamvarun dhe nuk ju ka ba trysni nga dikush.

“Për këtë vendim jam udhëheqë nga parimi se po baj ma të mirën në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj në radhë të pare dhe pastaj interesave të LDK’s e aspak nga interesa të mija personale”, ka shkrue Baxhaku në Facebook.

E pa reague nuk e ka lan as deputeti tjetër, Adem Salihaj, i cili para do kohe në studion e Televizionit Rrokum kishte konfirmue se s’ka me marrë pjesë në seancë. Ai madje edhe ironizoi, tu’e shkrue në Facebook, nji përgjigje për nji postim, ku i referohej atij të Kryeministrit.

Simbas tij, mospjesmarrja në seancën e djeshme ishte si pasojë e ndërgjegjes së tij dhe zanit të elektoratit.

“Si e dinë të gjithë, LDK-ja gjithmonë e ka mbajtë Thaçin përgjegjës për vrasjen e njerëzve ma të mirë e më atdhetarë të LDK’s dhe të Kosovës. Kur rezultati nuk po shkonte në favor të zgjedhjes së Thaçit president dhe deputetët e LDK-së po mundoheshin të luftonin me ndërgjegjen e tyre,përnjëherë u zbraz salla e kuvendit dhe nuk mbeti asnji deputet aty. Ku shkuen,ku i dërguen,a i zuni peng SHIK’u diku në nji skutë të kuvendit dhe po u kërcënohej se ka me ua ba ma zi se atyne tjerëve”, ka shkrue Salihaj si kundërpërgjigje ndaj fjalëve të Mustafës.

Mirëpo, për deputetën Vjosa Osmani fjalët e Kryeministrit kanë qenë të mjaftueshme që ajo mos me ndejt duerkryq. Ajo ju ka kundërpërgjegj fjalëve të Mustafës kur asht përmend frika.

Kush po na flet për frikësim? Njeriu që me nji lëvizje të vetullave të Thaçit kërcente përpjetë për t’iu vërsulë deputetëve të tij, ka shkrue Osmani në Facebook.

Osmani ka akuzue Mustafën, se ka 1 vjet qe ka lobue për këtë ditë, per me ja tubue votat Thaçit.

Edhe ajo, njajtë si të tjerët, ka shkrue se i përgjigjet vetëm votuesve e askujt tjetër.

Simbas saj, Mustafes duhet me ju kujtue se para syve të tij, ajo ka ngritë dorën kundër tij për Kryeministër dhe kundër Kadri Veselit për Kryeparlamnetar.

Zani i elektoratit të LDK’s ka me e ndjekë mbas dhe kurrë nuk ka me e lanë rahat, ka përfundue reagimin e saj Osmani.