Mustafa i përgjigjet Haradinajt: Askush nuk ka të drejtë me pengue liberalizimin e vizave

Isa-mustafa

Kryeministri Isa Mustafa thotë se askush nuk ka të drejtë me pengue procesin e liberalizimit të vizave për nji çashtje, e cila mundet me u përmirësue në momentin që ka me u verifikue e kundërta. Kjo mund të merret edhe si përgjigje ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se kushti i BE-së që për liberalizim të vizave duhet me u ratifikue marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, nuk ka me ndodh.
Haradinaj ka qenë i ashpër, tue thanë se nuk ka me lejue ratifikimin në Kuvend dhe se Isa Mustafa e Hashim Thaçi “kanë me u ngul keq”.

“Mendoj se edhe deputetët edhe qytetarët dhe na si njerëz që kemi përgjegjësi të veçantë në vend duhet me i pas parasysh në rend të parë interesat e shtetit, duhet me pas parasysh partneritetin ndërkombëtar, të cilin e kemi ndërtue dhe duhet asaj me ju nënshtrue në pikëpamje edhe profesionale edhe politike, sepse çdo njani prej neve ndoshta llogarit se ka me kalue te qytetarët ose te opinioni, në qoftë se thotë se unë nuk e votoj këtë, sepse mendon që fiton nji përkrahje, mirëpo ne në këtë rast humbim shumë, sepse humbim shansen tonë që me u liberalizue vizat dhe qytetarët tanë të lëvizin lirshëm. Që ekonomia jonë të ketë nji ambient krejtësisht tjetër të zhvillimit edhe që integrimi jonë në Bashkimin Europian të ecë rrugës, të cilën na e kemi hapun dhe unë mendoj se askush nuk ka të drejtë me pengue këtë proces”, tha Mustafa.