Mustafa: Nana Tereze, simbol i humanizimit, i takon krejt botës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në ekspozitën kushtue ditëlindjes së Nanës Terezë, e cila u hap në Katedralen “Nana Terezë” në Prishtinë.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se, për të personalisht dhe për Qeverinë e Kosovës asht nji nder i veçantë që me qenë pjesë e aktiviteteve për nder të Nanës Terezë.

Tue vlerësue randësinë që ka për Kosovën dhe kombin shqiptar shejtnimi i Nanës Terezë, kryeministri theksoi se, ajo asht simbol i humanizmit dhe nji veprimtare e devotshme, e cila nuk i takon vetëm shqiptarëve, por krejt botës.

“Na krenohemi me Nanën Terezë, por krenohemi edhe me ju dhe me të gjithë artistët tanë për këtë ekspozitë kaq të randësishme, dhe për të gjitha këto aktivitete që po zhvillohen këto ditë para se Nana Terezë të shejtnohet. Unë ju falënderoj shumë, ju uroj shumë suksese në punë, dhe po ashtu shpreh përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që gjithmonë në aktivitete të tilla të jemi në krah me ju, sepse konsiderojmë që po bani nji punë të mrekullueshme për të gjithë neve”, tha kryeministri, tue vlerësue edhe punën tepër të madhe që po ban Ipeshkvia e Kosovës.

Imzot Dodë Gjergji, para të pranishmëve, ka thanë se paqja asht ma e dobishmja dhe ma e domosdoshmja për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, por edhe për mbarë botën sot.