Muxhahedinët, mediat iraniane: Shqipnia në prag lufte

“Shumë pak e dinë se ç’don me thanë të kesh futë luftën në oxhak”. Kështu shkruen agjencia e lajmeve iraniane, ‘Pars Today’ lidhun me faktin se Shqipëna ka pranue muxhahedinët.

Agjencia e krahason pranimin e muxhahedinëve nga Shqipnia, të njajtë me “vendosjen e izraelitëve në Palestinë në shekullin e kaluem”.

Në shkrimin e publikuem në “ParsToday” hidhen dyshime për pazaret që mund të jenë ba mes qeverisë shqiptare dhe SHBA’ve, për pranimin e muxhahedinëve në Shqipni.

Simbas kësaj agjencie, Rama mbasi dështoi më armët kimike, nuk la rastin t’i pshtonte çashtja e muxhahedinëve”.

Shkrimi te agjencia e lajmeve iraniane, ‘Pars Today’
Nuk asht problemi i nji grupimi njerëzish, etnie, rrace, feje. Absolutisht jo. Çashtja asht se muxhahidinët janë armiq të shtetit të Iranit. Jo armiq e llafe, por luftarë aktivë, të shpallun armiqë nga Teherani. Me ardhjen e tyne në Tiranë fronti i luftës Iran – Europë asht në mes të atdheut tonë, të dashun.

Ai komunitet së shpejti pritet të hapë mediat e veta e të intensifikojë aktivitetin mbrenda kufijve dhe të mbrojtun nga shteti ynë. A i duhej ky rrezik Shqipnisë? Natyrisht çdo njeri e ka nji çmim.

Pa folë për qeveritë e vendet. Për këtë pazar erdhi pak muej ma parë në Tiranë Sekretari Amerikan i Shtetit Kerry. Sa asht pazari për të pranue në mes të Shqipnisë armiqtë e shpallun të ish perandorisë Persiane? Sikur të jetë diçka me interes kombëtar, të tipit …bashkim me Kosovën….mbase ia vlen.

Kush ka pa gja këto muej, përveç muxhahidinëve të lumtun që u dyndën tek TEG’u për t’u paisë masivisht me androidët ma të fundit dhe elektroshtëpiake të pagueme nga “bamirësit”?I dështuem dhe poshtnuem në rastin e armëve kimike, Rama nuk la t’i pshtonte nji rast i dytë. Opinioni nuk e kuptoi në kohë dhe shumë pak e dinë se ç’don me thanë të kesh futë luftën në oxhak.

“Ta kem mirë me Amerikën”, andrra dhe makthi i çdo politikani shqiptar i erdhi në shteg Edit tonë dhe ky nuk e la t’i ikte. A asht pjesë e këtij pazari që në kulm të fushatës së korrje –shirjeve të hashashit Ambasadori Lu vlerëson rezultatet impresionuese të qeverisë së Ramës në ….luftën kundër drogës?

Asht pjesë e këtij pazari impotenca politike e Bashës, presioni ndaj Metës dhe prepotenca e Ramës? Po nji mandat i dytë i rilindjes? Nëse ky asht pazari, don me thanë , jo e kemi ble lirë, por e kemi marrë te Gabi luftën.

Amerika asht tue u afrue me Iranin siç ky ka ba tashma edhe me BE’në. Po na, atdheu i muxhaeidinëve? Po muxhahedinët që luftën e nisun dekada ma parë kanë me vazhdue në “tokën e premtueme”, Palestinën e gjetun në zemër të Ballkanit? E fundit: Po mediat?

Në fakt, kjo puna e muxhahidinëve sa u mërmërit dhe u mbyll. Nuk ia kanë idenë as mediat? JO! Nuk asht e vërtetë. Me pak të pyetun, me pak google a wikipedia e mëson se ç’janë muxhahidinët dhe rreziku i tyne. Por , si për çdo gja tjetër në raport me rilindjen, edhe për këtë janë ble. Doket se po aq lirë sa vet Rama në rastin e muxhahidinëve.

*Pars Today asht agjencia e lajmeve iraniane me nji eksperiencë 70 vjecare në trasnmetim. Ndërsa, sot i asht përshtatë teknologjisë së re nëpërmjet komunikimit online dhe mbulon ngjarje nga e tanë bota, madje lajmet ofrohen në 30 gjuhë të botës. Misioni isaj asht të prezentojë Iranin në tanë botën. Për ma tepër, përfshimja e vendit në konflikte të ndryshme e ka kthy këtë media në nji burim të dhanash. Vetë ky medium thotë së përpiqet të transmetojë lajme të shpejta dhe të sakta. Kjo agjensi cilësohet si media e parë, e cila transmeton lajmet, të cilat kanë të bajnë me shtetin iranian dhe i drejtohet kryesisht audiencave të hueja. /Shqiptarja