Ndrron jetë baba i dëshmorit Fehmi Lladrovci

Mbas nji smundje të randë, sot ka ndrrue jetë baba i dëshmorit Fehmi Lladorvci, Tush Lladrovci. Varrimi i të ndjerit bahet nesër në varrezat e katundit Gllanasellë të Drenasit, në oren 13:00.

Lajmin e ke ba të ditun përmes nji postimi në Facebook, djali i tij, Ramiz Lladrovci, i cili ka thanë se, “sot, Baba Tush, na ke tronditë, tue u largue vetëm fizikisht prej neve, kemi pritë këto ditë ta përurojmë përjetësimin e Fehes dhe Xhevës me shtatore, në shesh”.

Postimi i Lladorvcit:

Sot, pas një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë Baba Tush. Varrimi i Babës Tush, do të bëhet nesër, ditë e shtunë, më 5 gusht 2017, në Gllanasellë, në ora 13. Sot, si kurrë më parë, dhimbja e mërzia po më mundë. Ndërroi jetë Baba Tush.

Nuk jam mërzit as nuk kam lejuar me më kaplue mërzia as dhimbja, as për Fehën, as për Xhevën, as axhen Jahir, as për qindra shokë në frontet e luftës. Sot, Baba Tush, na ke tronditë, duke u larguar vetëm fizikisht nga ne, kemi pritë këto ditë ta përurojmë përjetësimin e Fehes dhe Xhevës me shtatore, në shesh.

Po Babë, jam mërzitë, të kam premtue se së bashku me fëmijët e shokëve të Fehës e Xhevës ta përuroni me nderime të shtetit që na edukove ta duam, të punojmë për të dhe për të bëjmë çdo sakrificë.

I përjetshëm është kujtimi për ty Baba Tush, ashtu si për të gjithë prindërit që edukuan bijtë dhe bijat e veta që t’i dalin zot atdheut. Të falemnderit për edukatën dhe mirësinë që na dhe, bijve e bijave Tua dhe shokëve tanë që i trajtove sikur neve. Kemi qenë të bekuar me Ty Babë!

Ndërkohë, deputeti i AAK, Daut Haradinaj, përmes nji postimi në rrjetin social Facebook ka kujtue Tush Lladrovcin, që ndrroi jetë sot.

Haradinaj ka thanë se Tush Lladrovci, burrë i madh i Kosovës i dha shumë kombit me dekada.

“Sot u nda nga jeta burri i madh i kombit tonë që i dha shumë vendit tonë me dekada. Tush Lladrovci si një burrë i urtë dhe fjalë pak e dëshmoi se rruga e lirisë është tepër e vështirë dhe kërkon sakrificë, duke e dëshmuar tërë familja Lladrovci gatishmërinë për sakrificë me ne krye Heroin e pa mposhtur Fehmi Lladrovci. Prehu në paqe Baca Tush”, ka shkrue Haaradinaj në Facebook.