Në Kosovë u mbajtën prape zgjedhjet serbe

Ashtu si pritej, zgjedhjet parlamentare të Serbisë u mbajtën edhe në Kosovë, përmes OSBE’s, që simbas mandatit të saj ban vetëm grumbullimin e votave në 90 qendra votimi.

Kryeministri i vendit, Isa Musafa tha nji ditë ma parë se këto nuk janë zgjedhje klasike por qendra të grumbullimit të votave, e këtë simbas tij, e lejon edhe Kushtetuta jonë.

Por përmes reagimeve të shumta si para ashtu edhe sot, disa forca politike kosovare, kryesisht të opozitës, e quejtën mbajtjen e zgjedhjeve si shkelje të Kushtetutës. Madje, përmes nji komunikate për media, Vetëvendosja e ka quejtë Kryeministrin Mustafa, “zadhanës të Qeverisë së Serbisë”.

“Isa Mustafa, që më shumë po ngjan si zadhënës të Qeverisë së Serbisë, sesa Kryeministër i nji shteti të pamvarun, në vend të kundërshtimit e ndalimit të këtyne zgjedhjeve, asht vu tanësisht në funksion të organizimit të tyne”.

Vetëvendosja thotë se këto zgjedhje po mbahen simbas Kushtetutës serbe dhe se Beogadi po rikonfirmon praninë e vet në Kosovë.

Edhe Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës, deklaron se zgjedhjet serbe janë të papranueshme dhe shkelin randë e sovranitetin dhe të Kushtetutën e vendit.

“Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pamvaruna dhe çdo përpjekje për me ndërhy në sistemet e mbrendshme të njana-tjetrës, damtojnë edhe stabilitetin rajonal. Qeveria e Prishtinës e ka humbë legjitimitetin e saj dhe nuk mundet me punue ma në kundërshtim me interesat e qytetarëve të Kosovës”.

Mbajtja e zgjedhjeve asht kundërshtue edhe nga Nisma për Kosovën, Partia Fjala, si dhe Lëvizja për Bashkim.

Zv/Kryeministri i Kosovës, njiherit funksionar i partisë SNS të Kryeministrit serb Vucic, Branimir Stojanovic ka votue në Graçanicë.

Në komunën e Stëpçes ka votue Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtic.

Kemi nevojë për Qeveri të fortë në Beograd, që me ndihmue në zgjidhjen e problemeve të serbëve të Kosovës, – tha Jevtic.

Ndërsa mbas votimit në orët e hershme të mëngjesit, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakic tha se pret dalje masive të qytetarëve serbë në gjithë Kosovën.

Simbas tij, serbët në Kosovë duhet me qenë të bashkuem në këto momente, për nji të ardhme ma të mirë të tyne dhe shtetit të Serbisë në përgjithësi.

Nga ana tjetër, kreu i Qeverise serbe, Aleksander Vucic, mbas votimit, tha se nëse fiton, ka me vazhdue në rrugën europiane por tue ruejtë raporte të mira edhe me Rusinë.

Kurse Presidenti i Serbise Tomislav Nikoliç, tha se dëshiron që Serbia me vazhdue ecjen përpara.

Për zgjedhjet parlamentare serbe, në Kosovë janë hapë 90 qendra votimi, ndërsa OSBE ka hapë 5 qendra të grumbullimit të votave, prej ku kutitë dhe materialet e tjera të votimit kanë me u dërgue po nga OSBE në Rashkë dhe Vranje.

Për krejt zgjedhjet serbe janë hapë 8378 qendra votimi për 6.7 milionë votues. Për 250 ulëset e Parlamentit të Serbisë, në këto zgjedhje kandidojnë 3270 nga 20 forca politike, por favorit për fitoren mbahet njeriu që i shpalli zgjedhjet, Kryeministri aktual Aleksandar Vucic.