Nënkryetari i VV’s: S’bajmë djegie tinëzare të kerreve!

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi, përmes nji postimi në Facebook ka denue aktin e djegies se kerreve të personave zyrtar dhe të familjarëve të tyne.

Ai lut organet e drejtësisë që të veprojnë tue mos lanë hapësinë për etiketim e linçim të askujt.

Postimi i plotë i Çaushit në Facebook

Sot, përmes medieve elektronike u njoftova që mbrëmë i është djegur vetura shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqirit, nga persona të panjohur.

Sigurisht që dënojmë këtë akt, duke bërë thirrje që këto akte të mos përsëriten më.

Pushteti kundërshtohet me protesta, e ato janë gjithëpërfshirëse. Aktet e tilla janë të dënueshme, dhe kërkojmë që institucionet të veprojnë duke mos lënë hapësirë për etiketim e linçim të askujt.

Fakti se institucionet e rendit të cilat drejtohen nga bashkëpartiaku i z. Beqiri, nuk kanë sukses në raste të tilla, por kanë sukses vetëm për të arrestuar e keqtrajtuar pjesëmarrësit e protestave të opozitës, po ashtu lë vend për dyshime.

Përveç lajmit për djegjen e veturës së z.Beqirit, pashë në disa portale që analisti Halil Matoshi ende pa pasur as edhe një deklarim të policisë dhe organeve përgjegjëse e ka lidhur këtë akt me Lëvizjen VETËVENDOSJE!.

Kjo lidhje përveç që është një spekullim i pabazuar nga z.Matoshi, njëkohësisht është dashakeqe, duke ditur që Lëvizja çdo herë aksionet e aktivitetet e veta i ka publike dhe i shoqëron me komunikatë, foto e video (siç ishte rasti te rrotullimi i maunes me mallra serbe, aksion që erdhi pas ndalimit të librave shqip për shkollat në Luginë).

Do të kërkoja më shumë përgjegjësi prej personave që flasin për publikun e gjerë, sepse në asnjëherë nuk bëjmë aksione tinzare.

Aktivitetet tona kanë qenë, janë dhe do të jenë publike.