New York Times: Kosova, tokë pjellore për ISIS

Kosova asht tokë pjellore për Shtetin Islamik. Kështu shkruen sot gazeta amerikane “New York Times”, në nji artikull të gjatë të autores Carlotta Gall, përcjellë Televizioni Rrokum.

Ajo e nis rrëfimin nga Xhamia e Dardanisë, vetëm pak metra larg statutjës së ish-Presidentit Amerikan Bill Clinton, tu’ theksue se 17 vjet mbas luftës, vendi që i priti amerikanët si shpëtimtarë nga serbët në 1999, edhe nën hijen e rojeve amerikane, asht kthye sot në bazën e frontit ekstremist islamik në Europë dhe në nji inkubator për xhihadistët.

E për gjithë këtë situatë, New York Times fajëson ideologjinë konservatore të Arabisë Saudite, që përmes financimit me miliona euro mbas luftës, për rindërtimin e 218 xhamive të djeguna, e shtriu ndikimin e saj në Kosovën me mbi 800 xhami.

E derisa Amerika e shihte Kosovën si nji vend të cilit i duhej demokracia, sauditët panë këtu nji mundësi për me përhapë vehabizmin, në nji vend ku deri para luftës, shihje pak femna të mbulueme. Ndërsa tash, shumë familje në Kosovë përballen me femi që kanë shkue në xhihad, me femna që refuzojnë me u dhanë dorën mashkujve, ose me kërcënime ndaj gazetarëve e figurave publike.

Prandaj xhamitë e rindërtueme dhe të ndërtueme mbas luftës, konsiderohen nga imamët e moderuem, si pjesë e nji strategjie afatgjatë të Arabisë Saudite për me reformue imazhin e islamit, jo vetëm në Kosovë. Madje gazeta amerikane shkruen se në kabllogramet e diplomacisë saudite, të publikueme nga Wikileaks në vitin 2015, shihet nji sistem i financimit të xhamive, qendrave islamike, si dhe të klerikëve nga Europa, Azia e Afrika, të trajnuem nga sauditët.

Por tue citue fjalët e Drejtorit të Antiterrorit në Policinë e Kosovës, Fatos Makolli, New York Times shkruen se nuk ka asnji dëshmi direkte të financimit të sauditëve për rekrutimin e xhihadistëve, sepse ata përdorin nji labirint të vërtetë donacionesh nga organizat bamirëse, individë privatë e institucione qeveritare.

Ata kanë promovue islamin politik, – thotë Makolli, e për këtë kanë shpenzue shumë pare për programe të ndryshme, sidomos me të ritë, me njerëzit në nevojë. Ata sollën në Kosovë njerëz të afërt me islamin radikal politik, gja që çoi në radikalizimin e kosovarëve.

Mirëpo tash, Kosova ndihet e kërcënueme nga islami radikal sikurse krejt Europa. Gjatë dy viteve të fundit policia ka identifikue 314 kosovarë, mes të cilëve edhe 44 gra e 28 femi, që i janë bashkue Sheteti Islamik, e ky asht numri ma i madh i rekrutëve në raport me popullsinë ma pak së 2 milionëshe, në Europë.

Po ashtu, policia ka arrestue 67 persona, 14 imamë e ka mbyllë 19 organizata islamike për nxitje të urrejtjes dhe rekrutim të terrorizmit. Dënimi ma i randë ishte ai që u dha të Premten, ndaj hoxhës Zekirja Qazimi të Gjilanit, me 10 vjet burg, raporton Rrokum TV.

Gjaku i të pafeve asht pija ma e mirë për ne muslimanët, citohet se ka thanë ai në nji video.

Madje, Zekirja Qazimi, në vitin 2004 e ka kërcënue imamin Enver Rexhepi, tu’ ia grisë edhe flamurin shqiptar që kishte vendosë në xhaminë e Gjilanit, e ma vonë edhe asht rrahë nga persona të maskuem, mirëpo policia nuk e zgjidhi kurrë rastin.

Qëllimi i vehabistëve asht me krijue konflikt mes njerëzve, thotë Idriz Bilalli, imami i xhamisë Met Podujeva. Kjo nis me ndamjen, vazhdon me urrejtjen e mundet me shkue deri te ajo çka po ndodh në vendet arabe.

Ai tregon se si dy imamët Fadil Musliu dhe Fadil Sogojeva, që mbas luftës studionin për master në Arabinë Saudite, i kishin ofrue pare për me financue kurset fetare.

Musliu dhe Sogojeva ishin vetëm 2 nga rreth 200 kosovarët që përfituen bursa studimi mbas luftës në Arabinë Saudite, e që u kthyen në Kosovë me zell të madh fetar. Ata nisën me u mësue të rive nji mënyrë tjetër të lutjes, e kjo¸simbas Bilallit, asht mënyra se si vehabizmi erdhi në Kosovën e islamit tradicional hanefi.

Por ka edhe ma keq. Aktivistë të shoqnisë civile i kanë thanë New York Times’it se familjeve u janë dhanë paga mujore me kusht që ata me shkue në xhami, e që vajzat me u mbulue.

Njerëzit ishin aq të varfën, e nuk mbeti njeri pa iu bashkue – thotë Ajnishahe Halimi, që dikur bani fushatë për me dëbue nji imam radikal të ardhun nga Shqipnia.

Ndërsa Bilalli thotë, se kur u zgjodh në krye të Bashkësisë Islame të Podujevës, u kërcënue familjarisht me vdekje, sepse krijoi klasa fetare për gratë, për me minue punën e shoqatës Devotshmëria të ngritun nga Fadil Musliu, por nuk mori mbështetje nga Bashkësia Islame e Kosovës.

Të njajtin fat e pati edhe mbasardhësi i tij, Bekim Jashari, i cili megjithatë, thotë se e ka ndalue imamin Fadil Sogojeva që me ndërtue nji xhami të re dhe nji fond prej 20 mijë eurosh të ardhuna nga nji organizatë e listës së zezë së terrorizmit.

Megjithatë, shkruen gazeta përcjelle Rrokum TV, imamët radikalë Fadil Musliu dhe Fadil Sogojeva vazhdojnë me predikue në Prishtinë.

I pyetun nga New York Times, ai insiston se donaconet janë vetëm vendore, por ka pranue se ka marrë fonde nga sauditët për kurset e dikurshme fetare.

Tu’ citue burime nga Njisia e Inteligjencës Financiare në Policinë e Kosovës, gazeta shkruen se Al Waqf Al Islami, organizata e mbyllun në vitin 2014 në Prishtinë, kishte 12 të punësuem, e mbrenda 12 vitesh ka xhirue mbi 10 milionë euro, por vetëm 7% e buxhetit u faktue me dokuemente, se ka shkue për kujdesin ndaj jetimëve dhe bamirësi.

Nga ana tjetër, ish-Kryeministri Bajram Rexhepi ka pranue se në vitin 2004, zyrtarët europianë e penguen me miratue nji ligj që ndalonte sektet esktremiste, me arsyetimin se shkel lirinë fetare.

Gazeta shkruen se që në vitin 2003, Richard C. Holbrooke e kishte paralajmërue Kosovën mos me punue me Komitetin e Përbashkët Arab të Ndihmës për Kosovën, që drejtohej nga nji princ saudit.

Megjithatë, Banka Qendrore deklaron se Arabia Saudite e ka ulë financimin për Kosovën, me vetëm 100 mijë euro në vit, derisa prijnë Kuvajti, Katari e Emiratet e Bashkueme, me rreth 1 milionë euro secili.

E derisa zadhanësi i BIK’ut, Ahmet Sadriu mbrohet ndaj kritikave se kjo organizatë asht ndikue nga donacionet arabe dhe ka vu’ në pozita kyçe klerikë radikalë, ministri i Mbrendshëm Skënder Hyseni thotë se i ka kritikue ashpër zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës.

U thashë se po i bajnë nji dam të madh Kosovës, – tregon Hyseni për New York Times.

Ma tej, gazeta rendit disa prej shembujve flagrantë të xhihadistëve kosovarë, deri te famëkeqi Lavdrim Muhaxheri.

E për me mbyllë artikullin, gazetarja Carlotta Gall ka zgjedhë historinë e bujkut të varfën Shemsi Maliqi, djali i të cilit, Alejhimi, bashkë me familjen, ka ikë në Siri.

Kam shitë lopën për me e shkollue, – thotë baba i tij, por ma mirë mos me u kthye gjallë.