Nga nesër, Drenasi shkon në zgjedhje, KQZ e gatshme, por pret vendimin e Presidentit

Komuna e Drenasit nga nesër shkon në zgjedhje të reja. Kjo, ngase kryetari i kësaj komune, Nexhat Demaku ka paralajmërue dorëheqjen e tij, qysh të Martën, nji ditë mbasi Gjykata e Apelit i konfirmoi atij 3 vjet burg për krime të kryeme gjatë luftës, në rastin e njohun si “Drenica 2”.

E, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në vend, po konsideron se asht i gatshëm që m’i mbajtë zgjedhjet e reja në komunën e Drenasit.

Në nji prononcim për Gazetën Express, kryetarja e KQZ’s, Valdete Daka, asht shprehë se zgjedhjet simbas procedurave ligjore mbahen në afatin kohor prej 30 deri në 45 ditë nga momenti i dorëheqjes së kryetarit Demaku.

Por, Daka u shpreh se KQZ, konform ligjit ka me prit vendimin e Presidentit Thaçi për shpalljen e zgjedhjeve dhe mandej ka m’i organizue ato.

“Na si KQZ jemi të gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve te reja në Komunën e Drenasit. I mbetet presidentit të shtetit që me shpallë vendimin për mbajtjen e tyne. Posa presidenti ta shpallë na kemi me i mbajtë ato”, ka thanë Daka për Gazetën Express.