NISMA ‘largohet’ nga PAN, në Kuvend del me grupin e vet parlamentar

Nisma për Kosovën ka vendos që në legjislaturën e Kuvendit me dalë nga zgjedhjet e 11 Qershorit, të ketë grup parlamentar të vetin.
Nisma për Kosovën edhe pse në koalicion parazgjedhor me 2 parti tjera, PDK’n dhe AAK’n, ka vendos që në legjislaturën e ardhshme me veprue si grup parlamentar i vetëm.

Shefja e grupit parlamentar të Nismës, Valdete Bajrami në nji prononcim për kallxo.com e ka konfirmue se deputetet e Nismës kanë me veprue si grup parlamentar në vete.

“Nisma për Kosovën në këtë legjislaturë ka me pasë numër ma të madh të deputetëve sesa në legjislaturën e kalueme dhe kjo tregon qartë se Nisma ka pasë rritje për 40%. Kryetari Limaj qysh gjatë fushatës zgjedhore ka deklarue se deputetët e Nismës për Kosovën kanë me funkcionue si grup parlamentar në vete”, ka thanë Bajrami.

Përmes nji komunikate për media, Nisma ka njoftue të Shtunën se në këto zgjedhje ka arritë me marrë ma s’paku 8 deputetë në Kuvend.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se kjo nuk asht çashtje diskutimi ndërmjet partnerëve, tue shtue se këto vendime kanë m’u marrë mbas certifikimit të rezultateve.

 

Koalicioni i tri partive që po njihet ndryshe si PAN në zgjedhjet e 11 Qershorit, simbas rezultateve preliminare të KQZ’s ka dalë e para tue marrë 33.92 për qind të votave.