Nisma po tenton me e bindë VV’n për me i shkue mbrapa Haradinajt

Edhe publikisht sot, lideri i AAK’s e pranoi se vendimin për bojkotin e kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, e ka marrë krye në vete, pa u konsultue me aleatët e saj në opozitë, VV e Nisma, të cilat ende nuk po e përkrahin zyrtarisht këtë vendim.

Mirëpo i pyetun pikërisht për konsultimet me dy subjektet e tjera opozitare para marrjes së vendimit për bojkotin e Kuvendit, gjatë nji bisede për Televizionin Rrokum, nënkryetari Ahmet Isufi iu shmang përgjigjes direkte, tue thanë se konsultimet vazhdojnë.

Simbas pikës 1.5 të Nenit 8 të Kreut II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëse deputeti nuk merr pjesë për 6 muej në sesionet plenare ose në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit, atij i përfundon mandati.

Por Aleanca që vendosi bojkotin e kësaj legjislature pa i dorëzue mandatet e deputetëve, duket se asht kontradiktore me veten, mbasi në seancën e fundit çoi në Kuvend Ali Berishën, i cili bani betimin si deputet, tu’ zavendësue të dorëhequnin Ramush Haradinaj.

Nga ana tjetër, edhe Vetëvendosja përpiqet mos me e pranue se Aleanca e ka marrë vendimin krye në vete. Zadhanësi i VV’s Adonis Tahiri, thotë se nëse VV kishte me iu bashkëngjitë këtij vendimi, atëherë kjo kishte me u komunikue në nji konferencë të përbashkët për media.

Mirëpo burimet e Televizionit Rrokum mbrenda grupit parlamentar të Nismës për Kosovën thonë se partia e Fatmir Limajt pranon me e bojkotue Kuvendin, por nuk kanë arritë ende me i bindë për këtë edhe deputetët e Vetëvendosjes.