Nji lajm i mirë, Rusia e Turqia pajtohen për Sirinë!

Turqia dhe Rusia kanë thanë se pajtohen se asht i nevojshëm ndalimi i luftimeve në Siri, por dallimet të mëdha rreth konfliktit në mes të këtyne dy shteteve, mbesin.

“Armëpushimi duhet me u arritë për krejt Sirinë”, veçanërisht në qytetin verior të Aleppos, ka thanë kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu derisa ka folë në konferencën e perbashkët me homologun rus, Sergei Lavrov.

Konferenca asht mbajtë në qytetin mesdhetar turk, Alania.

Çavuşoğlu ka thanë se Ankara’ja pajtohet me Moskën se duhet me arritë pajtim për armëpushim, nevojën për ndihmë humanitare, tranzicionin politik, por ai ka thanë se qendrimi turk për presidentin sirian, Bashar al Assad mbetet i pandryshuem.

Turqia mbështet rebelët që po luftojnë për largimin nga pushteti të Assadit, derisa Rusia mbetët përkrahësi kryesor i regjimit në Damask.

Lavrov ka thanë se gjakderdhja në Siri duhet me ndalue, dhe se Moska asht e gatshme me bisedue me krejt palët në konflikt si dhe me vazhdue bashkëpunimin me Turqinë.

Por, ai gjithashtu ka thanë se Rusia ka me i vazhdue operacionet në Aleppo, aty ku gjatë fundjavës qeveria siriane ka rimarrë nji të tretën e zonave që kontrolloheshin nga rebelët.