Nobeli i paqes, pretendentë Merkel dhe Amal Clooney

Avokatja e të drejtave të njeriut, Amal Clooney asht nji nga pretendentët e çmimit Nobel për paqen, për 2017’tën, nji reflektim ky për punën e saj me minoritetin e persekutuem Jazid, në Lindjen e mesme.

Clooney ka përfaqësue nji grue jazide, që ishte përdhunue dhe torturue nga Shteti Islamik, që asht po ashtu pretendente për Nobelin, në Kombet e Bashkueme, në Mars të këtij viti, tue kritikue organizmin ndërkombëtar për mos veprim.

Ajo po ashtu ka kërkue që krimet e Shtetit Islamik të hetohen dhe përndiqen.

Amal Clooney (bashkëshortja e aktorit të njoftun amerikan, George Clooney), e diplomueme në Oksford, ka mbrojt nji numër rastesh të profilit të naltë në fushën e të drejtave të njeriut, gjatë karrierës së saj.

Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, që sapo fitoi mandatin e katërt në zgjedhjet në Gjermani, asht përmend si fituese e mundshme e çmimit Nobel për paqen, për politikat e saj për refugjatët.

Ajo asht lavdue shumë për politikën e dyerve të hapuna për emigrantët, në kohën kur Europa përballej me nji fluks prej qinda e mija refugjatëve, pjesa ma e madhe e të cilëve largoheshin nga konfliktet në Lindjen e mesme.

Në 2015’tën, ajo u tha gjermanëve se duhet m’u krenue me mikpritjen e ofrueme për qinda e mija azilkërkues, shumica prej tyne të larguem nga luftat dhe përndjekja.

Të tjerë fitues të mundshëm, përmenden Presidenti i Sri Lankës, Unioni Amerikan për Liritë Civile, ekipi i negociatorëve mbas marrëveshjes bërthamore me Iranin, Papa Francesku, Eduard Snowden etj.

Çmimi Nobel për paqen ka m’u shpall në Oslo të Premten, më 6 Tetor.

Me vlerë 9 milionë krona suedeze, ose 1.12 milionë dollarë, ai ka m’u dorëzue në 10 Dhetor 2017.

 

Shperndaje në: