“Normalizimi i raporteve Serbi-Shqipni nuk nënkupton normalizimin e raporteve Serbi-Kosovë”

Debati i fundit rreth përfshimjes së Shqipnisë në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nxitë reagime të shumta nga analistë si dhe zyrtarë të institucioneve.

Madje, i ashpër për këtë rast ka qenë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili sugjeroi Tiranën zyrtare që mos të implikohet në negociatat ndërmjet Republikës tonë dhe Serbisë.

“Kosova nuk ka nevojë për Shqipninë në bisedimet me Serbinë”, ishte kjo deklarata e ministrit të Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili në nji prononcim për mediet maqedonase ka thanë se Kosovës nuk i nevojitet mbështetja e Tiranës në dialogun që po zhvillon me Serbinë, mbasi për këtë Prishtina gëzon mbështetjen amerikane dhe europiane.

Mirëpo, në nji përgjigje zyrtare, Qeveria e Kosovës asht shprehë e hapun me cilindo vend për normalizimin e raporteve ndërfqijsore në rajon, për begatimin e tyne, si premisë e përshpejtimit përmbajtësor të rrugëtimit drejtë integrimeve europiane dhe dobive të tjera bilaterale e shumëpalëshe.

Zadhënësi i Qeverisë Mustafa, Faton Abdullahu ka thanë për “Indeksonline” se Serbia duhet me kuptue sa ma shpejt aq ma mirë se, për ta arritë këtë normalizim rajonal, të vendosun si kërkesë në vazhdim, nga Bashkimi Europian, duhet me arritë atë në raport edhe me shtetin e me institucionet e Kosovës dhe proceset e ndryshme që kanë të bajnë me kohezionin juridiko –shtetnor, etnik dhe zhvillimor të vendit tonë.

“Normalizim i raporteve me Shqipninë, nuk don me thanë normalizim i raporteve me Kosovën”, ka thanë ai.