Nuk ka diskutime për Trepçën në Bruksel

Ministrja për Dialog Edita Tahiri ka refuzue që çashtje e Trepçës me u futë si temë e bisedimeve në Bruksel, ku pala e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë takue në raundin e ri të bisedimeve.

“Pala serbe tentoi me ngritë në këtë takim edhe çashtjen e Ligjit për Trepçën të miratuem nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ministrja Tahiri refuzoi kategorikisht tendencën e palës serbe për të bisedue për këtë temë, sepse Trepça asht aset dhe pronë e Kosovës dhe si e tillë nuk e bisedojmë me askënd”, thuhet në nji komunikatë për media, ku citohet ministrja Tahiri.

Simbas saj, kjo nuk asht bisedue dhe nuk ka me u bisedue asnjiherë në dialog. “Tahiri siguroi se Kosova nuk ka me pranue hapjen dhe diskutimin e temave të mbrendshme shtetnore, për të cilat vendosë vetëm Kosova.

Simbas saj, nji palë nuk mundet me imponue hapjen e temave në dialog, sepse për nji gja të tillë kërkohet pajtimi i të dy palëve mbasi që po ashtu ky asht edhe parimi themelor i dialogut të Brukselit, i cili bazohet në respektimin e juridiksioneve të dyja shteteve”, thuhet në komunikatën dërgue nga zyra për komunikim publik i Zyrës së kryeministrit të Kosovës.

Tahiri i rikujtoi palës serbe se janë të kota tendencat e tyne për diplomaci në Bruksel rreth çashtjes së Trepçës, mbasi që njizet e tre nga vendet anëtare të BE’s e kanë njoft pamvarësinë e Kosovës dhe së tashma Kosova ka hy në marrëveshje kontraktuale me BE tue nënshkrue Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.