Obama përsërit se SHBA s’ka me dërgue trupa tokësorë në Siri

Presidenti amerikan Barack Obama e ka përjashtue për të disatën herë mundësinë e dërgimit të trupave tokësorë në Siri, tue shtue se përpjekjet ushtarake nuk munden me i zgjidh të vetme problemet e vendit të Lindjes së Mesme.

“Kishte me qenë nji gabim për Shtetet e Bashkueme apo Britaninë e Madhe me dërgue trupa dhe me rrxue regjimin e Bashar al-Assad”, tha ai për BBC, duke shtue se i ashtuquejtuni Shtet Islamik nuk mundet me u mposhte gjatë 9 muajve të fundit që i kanë mbete atij në postin e Presidentit të SHBA’ve.

“Megjithatë na mundemi me ia tkurr gjithnji e ma tepër territorin në të cilin operojnë ata”.

Obama, në nji zivitë 3 diore në Britani tha se Siria ndodhet në nji “situatë që ta copëton zemrën, por edhe shumë komplekse”.

“Nuk mendoj se egziston ndonji zgjidhje e lehtë për ta. Por, na me i zgjidh problemet afatgjata në Siri, ndërhymja ushtarake si e vetme, e për ma tepër që na të dërgojmë trupa në terren, nuk përbanë nji zgjidhje ideale”.

Obama tha se koalicioni i udhëhequn nga Shtetet e Bashkueme ka me vazhdue me i sulmue objektivat e ISIS, përfshi Al Raqqah.

Presidenti amerikan shton se komuniteti ndërkombëtar duhet me vazhdue me aplikue metoda presioni ndaj tana palëve, përfshi Rusinë, Iranin e grupet e moderueme nga opozita, për me u ule në tavolinën e bisedimeve dhe për me sigurue tranzicion politik.

Obama kritikoi ato vende, parlamentarët e të cilëve nuk i kanë miratue veprimet në Siri, por që kërkojnë ende “që Shtetet e Bashkueme me ba diçka për atë vend”.

Simbas kreut të Shtëpisë së Bardhë, Siria asht veç nji prej çashtjeve të “natyrës ndërkombëtare”, ndaj dhe kërkon përgjigje ndërkombëtare.