Obama refuzon me u takue me Presidentin turk

Presidenti amerikan Barack Obama nuk ka plane për nji takim personal me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, i cili shkon në SHBA për nji vizitë zyrtare këtë javë për me marrë pjesë në Samitin e Sigurisë Bërthamore në Washington.

 
Erdogan e kishte ftue Obama’n për me iu bashkue me të në inaugurimin e nji xhamie të financueme nga Turqia në Maryland, por propozimi asht refuzue, raporton Wall Street Journal.

 
E në vend të këtij takimi, Erdogan pritet me zhvillue nji takim me nënpresidentin amerikan Joe Biden, bani të ditun nji zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

 
Zyrtari ka thanë se kontakti në mes të Presidentëve amerikanë dhe turq asht i rregullt, mbasi ata kishin nji takim personal në Nandor të 2015’s në margjinat e samitit të G20 në Turqi, dhe zhvilloi nji bisedë telefonike në Fror.

 
“Presidenti ka qenë në kontakte të tilla të rregullta me disa udhëheqës të tjerë botnor”, tha zyrtari i naltë i administratës.

 
“Kur bahet fjalë për Samitin e Sigurisë Bërthamore, nuk ka ndonji orar të përcaktuem, kështu që s’asht se Erdogan asht tue u përjashtue”, ka shtue ma tej ai.

 
Shërbimi për shtyp i Presidentit turk tha se nuk ka asnji informacion në lidhje me nji takim të anuluem mes dy Presidentëve, raporton RIA Novosti.

 
Samiti i Sigurisë Bërthamore, ose NSS 2016 nis me 31 Mars dhe Presidenti Erdogan ka me mbërri në SHBA dy ditë para fillimit të tij, dhe planifikon me u largue me 2 Prill.