Oda e Avokatëve thotë se aksioni i djeshëm i EULEX dhe Policisë së Kosovës ishte në kundërshtim me Ligjin për Avokatinë

Oda e Avokatëve të Kosovës ka reague ndaj aksionit të djeshëm të Misionit të EULEX dhe Policisë së Kosovës, përkatësisht mënyrës së bastisjes së zyrave të Avokatëve.

Përmes nji reagimi, OAK vlerësoi se aksioni i djeshëm ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Avokatinë, ku thuhet se avokati nuk mundet me u privue nga liria për vepra penale lidhun me ushtrimin e shërbimet e tij në cilësinë e avokatit pa vendimin e gjykatës kompetente.

Lexone reagimin e plotë të OAK:

Reagim ndaj procesit të bastisjes të avokatëve nga ana misionit të EULEX-it në Kosovë dhe Policisë së Kosovës me datë 27.04.2016.
Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK), reagon lidhur me procesin dhe mënyrën e bastisjes së zyrave të Avokatëve nga Misioni i EULEX-it në Kosovë dhe Policisë së Kosovës, të mërkurën me datë 27.04.2016 në Prishtinë, duke mos përfillur Ligjin për Avokatinë në Republikën e Kosovës.
OAK lidhur me këtë rast nuk është vënë në dijeni nga Misioni i EULEX-it në Kosovë dhe as nga Policia e Kosovës për veprimet e ndërmarra ndaj avokatëve të OAK-së.
OAK ia bën me dije Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe Policisë së Kosovës se veprimet e tyre janë me kundërshtim me Ligjin për Avokatinë, konkretisht konform nenit 33 të Ligjit për Avokatinë Nr.04/L-193, GZ-nr: 20/31 maj 2013 lidhur me bastisjen e zyrës së tyre ku thuhet se: “Avokati nuk mund të privohet nga liria për vepra penale lidhur me ushtrimin e shërbimet e tij në cilësinë e avokatit pa vendimin e gjykatës kompetente. Për privimin e avokatit nga liria njoftohet Oda. Zyra e avokatit mund të bastiset vetëm në bazë të vendimit të gjykatës kompetente edhe atë, lidhur me shkresa, dokumente apo lëndë të përcaktuara shprehimisht.
Zyra e avokatit mund të bastiset vetëm në prezencën e avokatit dhe të përfaqësuesit të autorizuar të Odës të caktuar nga Kryetari i Odës. Sendet, shkresat ose dokumentet, përveç atyre nga paragrafi 3. i këtij neni, si dhe informatat që mund të mblidhen me rastin e bastisjes së zyrës së avokatit, nuk mund të shfrytëzohen për zhvillim të asnjë procedure kundër palëve të avokatit nga zyra e tij. Gjykatat ose organet tjera shtetërore duhet menjëherë ta informojnë Odën për fillimin e procedurës kundër avokatit apo për vendimin e mbajtjes apo paraburgimit të tij”.
Oda e Avokatëve të Kosovës rikujton detyrimet e institucioneve pjesëmarrëse në proceset e tilla penalo-juridike, sipas ligjit, janë në detyrim paraprakisht ta njoftojnë Odën e Avokatëve të Kosovës.