Oda Ekonomike e Kosovës ju çon selam Ramës e Vucic’it: Për neve s’mundeni me vendos ju

Oda Ekonomike e Kosovës ka refuzue me qenë pjesë e takimeve ndërmjet Shqipnisë dhe Serbisë që planifikohet të mbahet gjatë muejit Tetor në Nish, ku pala kosovare ka me u përfaqësoue vetëm me biznise, ndërkohë që Tirana dhe Beogradi në nivel shtetnor.

Në reagimin e Odës Ekonomike goditen edhe “tendencat që autostrada që lidhë Kosovën me Serbinë të riemnohet në autostradë Nish – Durrës, e kjo asht politike dhe ka për qëllim që të konfirmon qëndrimin e Serbisë se Kosova asht pjesë e saj”

Ky asht reagimi i Odës Ekonomike të Kosovës.

Pa pjesëmarrjen e barabartë të institucioneve të Kosovës, OEK nuk do të jetë pjesë e takimeve Kosovë Serbi

Oda Ekonomike e Kosovës angazhohet për bashkëpunim rajonal ekonomik dhe ndërinstitucional në baza të barabarta dhe pa politizim.

Kosova ka institucionet e veta, Presidenti, Kuvendin dhe Qeverinë dhe Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e asnjë aktiviteti në të cilën vendi i ynë nuk do të jetë i përfaqësuar si subjekt i barabartë me të tjerët.

Ky parim vlen edhe për takimin e paralajmëruar në Nish në mes të përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Serbisë.

OEK nuk do të jetë pjesë e këtij takimi pa pjesëmarrjen barabartë të institucioneve relevante te Republikës së Kosovës.

“Oda Ekonomike e Kosovës nuk do të jetë pjesë e proceseve të cilat janë politizuar në masë të madhe dhe ju shërbejnë për nevojat e brendshme apo ndërkombëtare të cilit do ”, tha kryetari i OEK-ut Safet Gërxhaliu.

Asnjë vend fqinjë i Kosovës nuk ka të drejtë që të fletë dhe vendos në emër të vendit tonë. Për atë mund të vendosin vetëm institucionet legjitime të Kosovës.

Tendencat që autostrada që lidhë Kosovën me Serbinë të riemërohet në autostradë Nish Durrës është politike dhe ka për qëllim që të konfirmon qëndrimin e Serbisë se Kosova është pjesë e saj.

Oda Ekonomike e Kosovës kundërshton fuqishëm tendencat e tilla.

Ne angazhohemi që ndërtimi i autostradës si kontribut në zgjidhjen e çështjeve infrastrukturore të mos politizohet dhe të shfrytëzohet si mundësi e mirë për bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës dhe marrëdhënieve ekonomike.

“Si Odë Ekonomike e Kosovës jemi të angazhuar në normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mendojmë që bashkëpunimi ndërkufitar nuk ka alternativë. Në këtë drejtim konsiderojmë se infrastruktura ka rëndësi strategjike për bashkëpunim ekonomik”, thotë kreu i Odës.

Kryetari Gërxhaliu tha se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë më shumë në eliminimin e barrierave tregtare, në avancimin e dialogut dhe implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel.