Opozita injoron ftesën e Presidentes për Komisionin për Demarkacion, thonë se ekspertët s’janë ekspertë

Edhe pse janë ftue me dhane kontributin e tyne në Komisionin për Demarkacion, të krijuem nga Presidentja Atifete Jahjaga, partitë opozitare vazhdojnë me i injofrue këto ftesa.

E arsye për këtë mbetet përjashtimi i ekspertëve vendorë nga Komisioni. Madje kanë dyshime edhe për punën e personave të angazhuem në këtë komision si ekspertë.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi tha për KosovaPress se përderisa nuk ka nji komision ekspertësh, që do duhej të përfshinte edhe ekspertët vendorë, të cilët i kanë publikue tana faktet për gabimet që janë ba dhe për faljen e mbi 8 mijë hektarëve, opozita nuk mundet me qenë pjesë e nji Komisioni të tillë. E vetmja rrugë për me krye nji proces të mirëfilltë të Demarkacionit simbas Çaushit, mbetet anulimi i marrëveshjes paraprake dhe formimi i nji komisioni të mirëfilltë, i cili do përbahej nga ekspertë vendor dhe i cili kishte me përdor dhe metoda tjera. Mbasi që metodat që janë përdor deri më tash, nëse vazhdojnë me i përdor prapë në të njajtën formë, sipas Çaushit kishin me nxjerr rezultate të njajta.

Çaushi: Nga CV-të e tyre shihet që s’janë ekspertë
“Çfarëdo pune serioze dhe çfarëdo komisioni serioz, duhej të nënkuptonte dhe një ekspertizë dhe një grup ekspertësh. Këtë qartë nuk e kemi, për shkak se edhe ekspertët vendas, të cilët kanë publikuar tanimë të gjitha faktet, në lidhje me problemet e Demarkacionit, nuk janë të ftuar. Pra i vetmi kuptim i një grupi të tillë të ekspertëve, që në fakt nuk janë të tillë nga CV-të e tyre, dëshmon se kemi të bëjmë me një përpjekje për të legjitimuar atë që është konkluduar nga komisioni i kaluar. Përderisa nuk ka një komision ekspertësh që do të duhej të përfshinte edhe ekspertët vendor, që kanë publikuar të gjitha faktet, për gabimet që janë bërë dhe për faljen e mbi 8 mijë hektarëve, ne nuk mund të jemi si opozitë pjesë e një komisioni të til lë”.

Nënkryetari i VV’s thotë se kane me i pranue rezultatet për Demarkacion, veç atëherë kur puna bahet nga ekspertë, tue i përfshi këtu edhe ata vendorë.

Çaushi:S’kemi të bëjmë me një grup ekspertësh
“Nga përbërja e këtyre personave, që janë ftuar për ta trajtuar këtë çështje, është shumë e qartë, që nuk kemi të bëjmë me një grup ekspertësh dhe nuk mund të jetë e tillë pa pjesëmarrjen e ekspertëve vendor, të cilët kanë punuar për një kohë të gjatë dhe të cilët e njohin në detaje çështjen e demarkacionit me Malin e Zi”.

Edhe nënkryetari i AAK’s, Ahmet Isufi, tha për KosovaPress se ma s’pari duhet me shkarkue Komisionin paraprak për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Qeveria me tërheq nënshkrimin dhe me dhanë llogari për këtë, tue dhanë edhe dorëheqje. E veç atëherë thotë Isufi, ata si opozitë kane me dhane kontributin e tyne rreth kësaj çashtje.

Isufi:Komisioni duhet të ketë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë
“Ne kemi theksuar me kohë se duhet të shkarkohet komisioni paraprak, i cili ka bërë gabime në përkufizimin e vijës së Demarkacionit dhe duhet të japin llogari për këtë. Po ashtu Qeveria duhet të tërheq nënshkrimin, të cilin ka bërë me rastin e Demarkacionit, pastaj të formohet një komision, i përbërë nga ndërkombëtarët dhe vendorët, i cili do të mundësonte realizimin e përkufizimit të Demarkacionit në mënyrë që të mos humbet tokë e Kosovës”.

Përndryshe, Komisioni me ekspertë ndërkombëtarë asht formue nga Presidentja Atifete Jahjaga, për rishikimin e përcaktimit të kufinit Kosovë-Mali i Zi, proces që po kontestohet edhe nga opozita, edhe nga disa ekspertë të kësaj fushe.

Komisioni ad-hoc i formuem nga Jahjaga përbahet nga nji amerikan, gjerman dhe britanik.