Opozita: Qeveria po ban pazare me Kosovën

Aleanca për Ardhmëninë e Kosovës dhe Nisma mbajtën sot të parën protestë pa Vetëvendosjen, në gati dy vjet të qëndrimit në opozitë. Protesta nisi n’orën 14:20 minuta me hymnin kombëtar shqiptar, e u pasue me atë të Republikës së Kosovës, derisa në mesin e mija pjesëmarrësve, ndryshe nga herët e tjera, përveç flamurit kombëtar shqiptar, kishte edhe flamuj të Kosovës, të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkueme.

Me të nisë protesta, i pari e mori fjalën kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi i cili bani thirrje për me i thanë “Jo!” udhëheqjes antikushtetuese Mustafa-Thaçi, korrupcionit, derisa përsëriti kërkesën për zgjedhje të parakohshme.

Përpara se me folë dy liderat e partive opozitare, protestës ju drejtuen disa qytetarë, që kundërshtuen qasjen e qeverisë, e sidomos Demarkacionin me Malin e Zi.
Në këtë protestë nuk mungoi as pjesa artistike.

E mbas këtij recitimi të Çun Lajçit, fjalën e mori Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, që i bani thirrje koalicionit qeverisës me dhanë dorëheqje, sepse simbas tij, ai ka ba vetëm pazare me Kosovën.

I fundit në protestë, mes brohoritjeve të shumta, fjalën e mori lideri i AAK, Ramush Haradinaj.

Tu e pa masën e protestuesve, ai tha se tanë Kosova asht në kambë dhe se Republika asht në rrezik nga dy gjana, ndërhymjet e shtetit fqinj – Serbisë, dhe nga vetë Qeveria e Kosovës.

Mbas përfundimit të protestës, masa u shpërnda e qetë.
Lëvizja Vetëvendosje e ka vlerësue të ngutshme protestën e sotme, sepse simbas saj, nuk mundet me u protestue kundër pushtetit, kur në të njajtën kohë, liderat e AAK e Nismës koketojnë me qeverinë.