Pa viza, por kosovarët munden me u bllokue në Spanjë

Asht nji ditë e madhe gëzimi për popullin ma proeuropian në Ballkanin Perëndimor, sepse përveçse ndihen europian, tash ata janë edhe teknikisht europianë, sepse munden me udhëtue pa viza.

Prandaj nuk kam fjalë për me ju falenderue ju personalisht, Komisioner, por edhe të gjitha institucionet që kanë qenë me ne dhe që na kanë mbështetë në rrugën tonë të vështirë deri këtu.

Kështu tha ministri i Mbrendshëm, Skënder Hyseni, mbas takimit me Dimitris Avrampoulos, Komisionerin për Emigrimin, Punët e Mbrendshme dhe Shtetësi i Bashkimit Europian në Bruksel, ku mori lajmin për rekomandimin pozitiv të këtij Komisioni, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Ndërsa vetë Komisioneri, tu’ e komunikue këtë lajm tha se ka me ardhë të Ejten në Prishtinë, për me nda me qytetarët e Kosovës këtë lajm.
Në rekomandimet e sotme, Komisioni konfirmon se Kosova i ka plotësue të gjitha kriteret e kërkueme, dhe deri në ditën kur këto propozime të adoptohen nga Parlamenti dhe Këshilli Europian, Kosova duhet me ratifikue Marrëshjen për Kufinin me Malin e Zi, si dhe me forcue luftën kundër krimit të organizuem dhe korrupsionit, – tha ai.
Ndërkaq, të pyetun se si ka me reague Spanja, si nji vend që nuk e njeh Kosovën, ndaj liberalizimit të vizave për Kosovën, Hyseni dhe Avramopoulos, u përgjigjën:

Kosovarët kanë pasaporta biometrike, e ky asht kriteri teknik që kërkon Komisioni Europian. Unë nuk e di se çka kanë me ba autoritetet spanjolle, sepse u takon atyne me vendosë. Unë mendoj, shpresoj dhe pres që Qeveria spanjolle me e njoftë të drejtën elementare të qytetarëve të Kosovës për me lëvizë lirshëm nëpër Europë. Për ma tepër që po flasim për 500 apo 600 mijë zotnues të pasaportave biometrike në Kosovë, – tha Hyseni.
Na u besojmë autoriteteve spanjolle. Spanja asht ndër vendet ma demokratike në Europë dhe ata kanë me ditë si me e zgjidhë këtë çashtje, – tha Avramopoulos.
E derisa asnjani prej zyrtarëve të naltë nuk dha përgjigje të saktë për këtë çashtje, ndoshta mundet me ndodhë që edhe Greqia, Qiproja, Sllovakia e Rumania, mos me lejue hymjen e kosovarëve në këto shtete, pamvaresisht liberalizimit të vizave.
Raporti me rekomandimet pozitive të Komisionit Europian për liberalizimin e vizave për Republikën e Kosovës duhet me marrë miratimin e Parlamentit Europian dhe të Këshillit Europian, e simbas komisionerit Avramopoulos, kjo periudhë mundet me zgjatë 2-3 muej.