Pacolli vjen me propozim për formimin e Qeverisë

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, vazhdon me insistue se zgjidhja ma e mirë e situatës aktuale politike kishte me qenë tue e krijue nji Qeveri me bazë të gjanë.

“Marrëveshja historike”, siç e kishte quejt Pacolli para disa ditësh kishte me qenë në interes nacional, për të cilën simbas tij duhet të lihen anash interesat politike.

Statusi i plotë i Pacollit:

Ta shpëtojmë Kosovën, t’a bëjmë një qeveri me bazë të gjerë.

Siç bëjnë të ditur mediat sot, ka dështuar një mbledhje e Kryesisë së Kuvendit për të organizuar seancën konstitutive të tij. Edhe kjo që ndodhi është zhagitje e proceseve, është vetëmashtrim me kohën, nervat dhe energjinë e popullit të Kosovës.

Për shkak të situatës së ndërlikuar dhe sfidat që ka Kosova, nuk na nevojitet qeveria e njerës palë kundër një tjetre, qeveria e kushtëzuar fuqishëm nga një Listë që merr urdhërat nga një shtet fqinjë që nuk e njeh Kosovën.Kësisoj, zgjidhja që unë kam propozuar, një qeverisje me bazë të gjerë, e shumicës së partive, e shumicës apo e gjithë faktorëve, e të gjithë krahëve, e të gjithë qytetarëve të Kosovës, është zgjidhja më e volitshme. Kryeministër i Kosovës mund të jetë seicili për të cilin do të jetë konensusi më i gjerë në interes të integrimit euroatlantik të Kosovës. Kjo zgjidhje do ti shërbente konsolidimit të shtetësisë tonë. Kështu do t’i bëjmë me dije të gjithëve se fatin e Kosovës e kanë në duart e veta vetëm kosovarët.

Një qeveri me konsensus të gjerë me mandat të kufizuar kohor, do t’i shërbente: Lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës nëpërmjet zgjidhjes së drejtë të demarkacionit dhe gjithë obligimeve të marra ndërkombëtarisht; miratimit të një ligji të denjë zgjedhor; rikonsolidimit dhe efektivitetit të administratës publike; trajtimit të pronës së Kosovës për interes të qytetarëve të saj; angazhimit të parezervë për pranimin e vendit tonë në Unesco dhe shtimin e numrit të njohjeve; krijimit të kushteve për rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të punës.

Vetëm një angazhim i plotë dhe i sinqertë i gjitha forcave politike në një qeveri të përbashkët do të mundësonte vendosjen e rendit dhe ligjit dhe do të kishte sukses në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm një angazhim i tillë i sinqertë është jetik për Kosovën tonë për të cilën u flijuan shumë gjenerata.

Në këtë kontekst, ftoj miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, qeverinë e Shqipërisë, të na mbështesin në këtë objektiv.

Nëse e duam Kosovën, ta qesim Kosovën dhe interesin e qytetarëve në radhë të parë.