Partia e Ferid Aganit kundërshton themelimin e Komunës së Prelluzhës

Agani

Dega e Partise se Drejtësisë ne Vushtrri, që udhëhiqet nga Ferid Agani, aktualisht ministër i Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, ka dal me komunikatë kunder themelimit te nji komune te re serbe.

Kjo është komunikata e plotë e Partisë së Drejtësisë:

Partia e Drejtësisë në Vushtrri kundër themelimit të komunës së Prelluzhës
Dega e Partisë së Drejtësisë në Vushtrri, kundërshton kategorikisht themelimin e komunës së re artificiale të Prelluzhës. Formimi i kësaj komune, është në kundërshtim të qartë me politikat integruese të komunitetit serb dhe synimit politik për marrëdhënie të mira mes komuniteteve. Një veprim i tillë do të shtonte izolimin e komunitetit serb dhe do të thellonte hendekun mes komunitetit serb dhe popullit shqiptar si shumicë absolute.
Themelimi i komunës së Prelluzhës, është përpjekje për realizimin e synimeve të liga serbe për formimin e rripit Mitrovicë veriore-Prelluzhë-Graçanicë-Partesh, si synim strategjik i plaftormave shoveniste serbe. Formimi i Komunës së Prelluzhës, është përpjekje artificiale, e pa argumentuar dhe regres në arritjet e bëra deri më tani. Qytetarët serb të Komunës së Vushtrrisë kanë vullnet të plotë për integrim dhe deri tani janë pjesë aktive e shoqërisë sonë për tu integruar në rendin kushtetues e juridik të Republikës së Kosovës, duke përfshi përfitimin e subvencioneve, infrastrukturës, shëndetësisë e arsimit. Ky vullnet i plotë i komunitetit serb brenda strukturës institucionale republikane është vullnet i natyrshëm ndërsa ideja për formimin e komunës së re është imponim i ardhur nga strukturat jasht Kosovës dhe si i tillë është i papranueshëm.
PD – dega në Vushtrri mbështetë organet komunale dhe inkurajon ato që të jenë të vendosura deri në fund për refuzimin e formimit të kësaj komune artificial. PD – dega në Vushtrri, kërkon nga subjektet politike opozitare, që të shfaqin hapur qëndrimin e tyre kundër kësaj komune, por mos ti bëjnë shërbim kësaj kërkese artificiale duke u përpjekur që të përfitojnë politikisht përmes kundërshtimit manifestiv të kësaj kërkese kundër interesave shtetërore.