Partia e re quhet ‘LISTA’ . Blushi: Asht e qendrës!

ben-blushi-1-640x380

Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi kanë zhvillue dje në Muzeun Kombëtar nji takim me mbështetësit e tyne.

Mes pjesëmarrësve, Agim Hushi dhe Xhevahir Spahiu.

Në takim Blushi ka sqarue se partia ka me qenë nji forcë e qendrës dhe opozitare.

Panorama shkruen se partia e re ka me u quejt ‘Lista’

Ky asht shkrimi i plotë

Nuk ka më asnjë dyshim që Ben Blushi, Mimoza Hafizi, ish-anëtarë të Partisë Socialiste, e qytetarë të tjerë të zhgënjyer nga politika 25-vjeçare do të krijojnë një forcë të re politike.

Këtë e ka konfirmuar dje deputeti Ben Blushi, gjatë një takimi me përfaqësues të shoqërisë civile dhe mbështetës të tij, ku ai ka theksuar se partia e re do të krijohet brenda muajit nëntor dhe ajo do jetë një forcë politike e qendrës.

Takimi

Ashtu siç edhe ishte lajmëruar më parë, deputeti Ben Blushi ka zhvilluar dje një takim me rreth 200 mbështetës të tij në funksion të organizimit dhe krijimit të një force të re politike.

Veç tij në këtë mbledhje e pranishme ishte edhe deputetja, Mimoza Hafizi e cila i është bashkuar Blushit në këtë nismë.

Në takim ra në sy edhe prania e tenorit, Agim Hushi, i cili disa vite më parë ka qenë kandidat për deputet i Partisë Socialiste në Kavajë përballë kryeministrit të atëhershëm, Sali Berisha, garë të cilën ai e humbi.

Së fundmi ai ishte kandidat edhe për drejtor të Teatrit të Operas dhe Baletit, garë të cilën gjithashtu e humbi.

I pranishëm ishte edhe poeti Xhevahir Spahiu.

Nuk dihet nëse prania e tij në këtë aktivitet ka të bëjë me një angazhim politik të tij apo thjesht me dëgjimin e alternativës “Blushi”.

Ndërkohë që të gjithë pjesëmarrësit e tjerë ishin persona të panjohur publikisht dhe kryesisht të rinj. Takimi është zhvilluar pa praninë e medias dhe ai ka zgjatur afro dy orë.

Atë e ka hapur një prej pjesëmarrëseve të reja në këtë takim e cila më pas ia ka dhënë fjalën deputetes Mimoza Hafizi, e cila nga ana e vet ka shpjeguar me PowerPoint piketat kryesore të këtij formacioni të ri politik që do të krijohet.

Pas saj fjalën e ka marrë Blushi, i cili ka bërë një prezantim të kësaj alternative, e cila sipas tij do të krijohet brenda muajit nëntor.

“Brenda pak javësh dhe kur them javësh, kam parasysh brenda muajit nëntor mendojmë se do ta shpallim partinë e re. Ne besojmë se ajo nuk do jetë një parti më shumë në morinë e madhe të partive shqiptare por do të synojë të jetë opozita e vërtetë. Dua të jem i qartë në këtë pikë, nuk synojmë që me këtë parti të vijmë në pushtet, por për të qenë zëri i atyre shqiptarëve që janë zhgënjyer nga partitë e vjetra”, -mësohet të jetë shprehur Blushi gjatë këtij takimi.

Më tej ai është përpjekur të sqarojë se kjo forcë politike do ketë një profil politik të qartë si një forcë e qendrës dhe që qëndron larg ekstremeve të të dyja krahëve.

“I keni parë besoj se njëra parti e vjetër flet vetëm për të sotmen, tjetra vetëm për të shkuarën. Ne do të flasim për të ardhmen. Ndaj nuk do të jemi as parti e majtë apo e ekstremit të majtë siç thonë gazetat, por synojmë të jemi një parti e qendrës”, -mësohet të ketë theksuar më tej Blushi.

Ai ka folur edhe për çështjen e financimit të partisë, e cila sipas tij edhe në këtë aspekt do jetë e anëtarëve si aksionerë të saj dhe jo e biznesmenëve siç edhe janë sipas tij partitë e mëdha.

Organizimi

Pas këtij prezantimi, takimi ka vijuar në formën e një bashkëbisedimi, ku pjesëmarrësit kanë kërkuar të dinë detaje për atë që do përfaqësojë kjo forcë politike dhe organizimin strukturor dhe forumet drejtuese.

Burime nga mbledhja kanë bërë të ditur se me shumë mundësi kjo parti do të shpallet brenda mesit të nëntorit, ndërkohë që aktualisht ajo nuk ka një emër përfundimtar.

Sipas këtyre burimeve emri do të përcaktohet pas bisedave që do zhvillohet në ditët në vijim me mbështetësit dhe grupit nismëtar, ndërsa ajo do të organizohet dhe funksionojë në bazë të një statuti i cili do të quhet “Libri i Rregullave”.

Gjithashtu një tjetër detaj që mësohet nga faza organizative dhe strukturore e kësaj force është se kryesia do të quhet “Bërthama” dhe do të përbëhet nga rreth 21 anëtarë, të cilët do të zgjidhen përmes një procesi demokratik dhe pas zgjedhjeve nëpër rrethe.

Mësohet gjithashtu se funksionimi i Partisë do jetë organizuar në bazë kapilare, nga baza ose anëtarësia që do të quhet “Forum” deri te strukturat më të larta drejtuese.

Hafizi: Edhe pse formalisht jam anëtare e PS, praktikisht jam jashtë saj

Mimoza Hafizi ka pasur kolegun e saj Ben Blushi dhe duket se dje edhe ajo ka shpallur largimin nga Partia Socialiste.

Duke folur dje pas takimit me mbështetës dhe shoqërinë civile, ku mori pjesë edhe deputeti Blushi, Hafizi ka deklaruar se edhe pse formalisht vazhdon të jetë pjesë e PS-së dhe deputete e saj në parlament, ajo ka deklaruar se në të vërtetë nuk e ndjen më veten pjesë e saj.

“Formalisht ende jam në Partinë Socialiste, por praktikisht nuk jam”, -tha Hafizi duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve.

Ndërkohë që ajo edhe një herë ka hezituar të flasë hapur se së bashku me Blushin janë duke krijuar një parti të re politike.

Ajo edhe një herë është përpjekur të shpjegojë se këtë gjë po e kërkojnë mbështetës dhe qytetarë të thjeshtë që janë të zhgënjyer nga klasa aktuale politike, por ende nuk është vendosur se kur kjo gjë do bëhet realitet.

“Ne bëjmë dhe takime dhe miqësore dhe kur janë miqësore marrin pjesë njerëzit e ftuar. Ndaj për sa ishte takim  me miq që na kanë kontaktuar dhe i kemi kontaktuar ishte një takim mes njerëzish që kishin diçka të përbashkët për të ndarë me njeri-tjetrin dhe nuk ishte një takim publik”, -theksoi Hafizi.

Duke komentuar takimin e mbajtur mbrëmë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, Hafizi ka theksuar se ai ishte një takim mes miqsh dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilëve u është shpjeguar se si ajo dhe Blushi e mendojnë një forcë politike që të jetë ndryshe nga partitë e tjera politike në vend dhe që të bëhet një alternativë e besueshme për qytetarët.

“Ne kishim një takim konsultues me shoqërinë civile dhe nuk kishte të bënte me largimin nga PS. Pjesë e aktualitetit politikë sot në Shqipëri janë dhe lëvizjet politike. Ky ishte një takim me qytetarë, me njerëz të thjeshtë me aktivist të shoqërisë civile për jetën aktuale politike shqiptare”, -sqaroi Hafizi. /Mapo.al/