Partia turke reagon për heqjen e flamurit të Turqisë në Prizren

Partia Demokratike Turke e Kosovës, përmes nji komunikate për media ka reague mbas pamjeve që shpërfaqin heqjen e flamurit të Turqisë nga nji shtyllë në nji rrugë në Prizren.

“Flamuri turk, përpos që asht flamur i Republikës së Turqisë ai asht edhe flamur i komunitetit turk të Kosovës. Sulmin e bamë ndaj flamurit turk e konsiderojmë jo vetëm si sulm i bamë komunitetit turk, por edhe nji akt kundër vlerave demokratike dhe vlerave multietnike dhe vlerave europiane të Kosovës”, thuhet në reagimin e KDTP.

“Dëshirojmë me theksue se sulme të tilla, të cilët po përsëriten kohët e fundit, janë tue e shqetësue komunitetin tonë, në këtë aspekt presim që sa ma parë akterët e këtij sulmi të sjellen para drejtësisë”, thuhet në reagim.

Kjo parti kërkon nga institucionet e Kosovës, nga presidenti, Qeveria dhe parlamenti me e denue ashpër këtë akt dhe me i ndërmarrë hapat zyrtare për zbardhjen e këtij rasti.

Sot në media ka qarkullue nji video, të cilën e kanë incizue disa persona tue heqë flamurin e Turqisë, i cili valonte në nji rrugë të Prizrenit.