Pasojat nëse kishte me u aktivizue eksplozivi nga serbi Slobodan Gavric

​Në rast se kishte me u aktivizue në Prishtinë eksplozivi që u gjet në 23 kese në kerrin “Renault” të serbit Slobodan Gavric, pasojat në njerëz kishin me qenë shumë të mëdha. Mbasi materiali shpërthyes në formë plastike i përziem me gozhda metali ka mujt me pasë rreze të detonimit 3400 në sekondë.

Kështu pretendon Prokuroria në fjalën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj serbit, që ka hy në fazën finale. Mbrojtja mohon mundësinë se Gavric kishte për qëllim kryemjen e ndonji sulmi terrorist në kryeqytetin kosovar, tue pretendue se ai vetëm e ka transportue materien shpërthyese, i detyruem për me i nxjerrë paret e nji borxhi.

Serbi Slobodan Gavric ka pranue se me dijeni kishte pranue me bartë eksplozivin nga Serbia në Prishtinë, por ai mohon se qëllimi ka qenë kryemja e ndonji sulmi terrorist në Kosovë. Mirëpo, simbas prokurores Drita Hajdari, egziston nji mori provash që kallxojnë se ai kishte planifikue kryemjen e nji akti mizor. Prokurorja pretendon se veprimi nuk ishte parapa me u krye veç nga i akuzuemi.

Bile, simbas Prokurores, e cila njisoj sikur edhe mbrojtja dhe i akuzuemi dhanë fjalën përfundimtare, në shqyrtimin e fundit gjyqësor, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, vet zgjedhja e Slobodan Gavricit që me depërtue eksplozivin në Kosovë nuk ishte e rastësishme.

“Personi me profesion veterinar nuk asht zgjedhë rastësisht, mbasi ai në bazë të profesionit mundet me ditë se çka duhet me përdorë për mos me u zbulue eksplozivi nga qentë e Policisë” , konkludon Prokurorja Hajdari, mbasi në natën e 25 Dhetorit 2014 qentë e Policisë nuk kishin arritë me zbulue materien shpërthyese që mbante ai në kerr, por vetëm mbas kontrollit të detajuem u gjet nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, në Prishtinë, në afërsi të Ambasadës Amerikane.

Ajo ka kërkue dënimin e të dyshuemit për terrorizëm, tue i kallxue edhe pasojat e mundshme po të arrinte me krye qëllimin, serbi.

Simbas Prokurores, në 23 paketimet e gjetuna në kerr, dimnin e 2014’ës, ka rezultue se përmbajtja e eksplozivit ishte materie plastike me përmbajtje të naltë të rrezikshmënisë i përziem me copa metali, gja që e ka konstatue edhe FBI.

Ajo tutje citon raportin e forenzikës, të kryem në Kosovë, e cila ka konstatue se eksplozivi i gjetun ishte PETN, ma i forti që egziston dhe se shtija e tij bahet vetëm me procedura të veçanta, nga autoritetet ushtarake apo policore. Simbas, raportit, pohon Drita Hajdari, detonimi i eksplozivit në rast se ishte arritë me u krye, ishte rreth 3400 metra në sekondë.